Partisë “Bindja Demokratike” nuk i intereson qëndrimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili deklaroi këtë të martë se nuk do të ketë zgjedhje me opozitë false. Nga studioja e ABC News, koordinatori i partisë më të re në vend, Astrit Patozi, tha se PD nuk mund të caktojë qëndrimin e Bindjes Demokratike.
“Unë nuk jam njeri i panjohur. Nuk dola nga veza sot. Njerëzit më njohin me të mirat dhe të këqijat e mia. Nëse ka ndonjë gjë personale ky është një opinion jo argument. Ai mendon se ne mund të jemi opozitë false, por unë nuk mendoj se ka opozitë më false sesa ky njeri që bëri pazarin më të pisët të politikës shqiptare në Majin e 2017-s. Që këtu e mbyllim historinë bashkë. Unë dhe miqtë e mi që besojmë tek ky projekt nuk kemi bashkëpunuar asnjëherë me Ramën. Ata janë në të drejtën e tyre.
PD është sot ish-shtëpia ime politike me të cilën nuk kam më asnjë lidhje. E kam deklaruar që nuk më intereson dhe kam ikur prej saj dhe kam të drejtën që të kemi projektin tonë politik dhe ofertën politike për zgjedhësit. Nuk na intereson qëndrimi i Bashës. Por ata nuk mund të na caktojnë çfarë jemi sepse opozita nuk merret me licensë. Ne themi që djegia e mandateve është tradhti ndaj zgjedhësve. Ne kemi optikën tjetër, që duhet të përballesh me qeverinë edhe në ditën më të keqe, që herës tjetër ta dëmtosh”, tha Patozi.
Aktualisht Bindja Demokratike ka një bord prej gjashtë anëtrarësh dhe ka vendosur si koordinator Astrit Patozin. Këtë të martë ajo çoi një kërkesë në gjykatë për t’u regjistruar./abcnews.al