Menjëherë pas firmosje së Koalicionit Opozitar me Partinë Demokratike, krerët e partive të vogla opozitare zhvilluan një takim me kreun e misionit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt.
Gjetjen e një zgjidhje që do të vijë nga brenda kufijve të Shqipërisë dhe kërkon dakortësinë e spektrit politik. Është ky vendimi sovran që i takon politikës shqiptare në identifikimin e zgjidhjes më të mirë, sipas kreut të misionit të OSBE-së Bernd Borchardt.
“Ka shumë mënyra për të gjetur një zgjidhje, por u takon atyre dhe partive të tjera politike që të bien dakord për njërën prej tyre. Ne vetëm mund të këshillojmë për funksionimin e këtyre zgjidhjeve”.
Shtyrja e zgjedhjeve, edhe pse me precedent në vend, nuk duket në krye të listës së misionit të OSBE në Tiranë.
“Për momentin kemi një datë zgjedhjesh, 30 Qershorin. Pikë. Ndryshimi i datës është një proces i ndërlikuar. Pastaj, vetëm shtyrje? Çfarë do të ndryshonte kjo?”
Shqetësimet e partive opozitare të parashtruara në takim i zbardhi kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu.
“Në thelb kjo ka të bëj vetëm me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nëse Rama ka shtyre zgjedhje për një certifikatë sot është e rëndësishme të kuptohet se… Ne do t’i kërkojmë si përfaqësues të partive politike një qëndrim edhe presidentit si garant i unitetit të popullit. Kjo iniciativë do të vijojë edhe me institucione të tjera”.
Takimi u zhvillua në ditën që Kodi Zgjedhor parashikon si afatin e fundit për partitë politike për t’u regjistruar ne zgjedhjet e 30 qershorit, ku deri më tani asnjë parti e opozitës së bashkuar nuk është regjistruar./abcnews.al