Dakordësia Balla-Alibeaj, Bylykbashi: PS po krijon një opozitë marionetë për ta “shitur” presidentin si konsensual

schedule11:05 - 19 Maj, 2022

schedule 11:05 - 19 Maj, 2022

Oerd Bylykbashi, në një deklaratë për mediat, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Komisionit të Rithemelimit për mbledhjen e katër Grupeve Parlamentare në Kryesinë e Kuvendit të mërkurën.

Bylykbashi tha se ditën e djeshme, “u shpall një marrëveshje e re” me anë të të cilës Taulant Balla, sipas tij, i dha të drejtën Enkelejd Alibeajt që të propozojë kandidatë në tre raundet e para.

Kandidatët, sipas Rithemelimit do t’i sigurojë ajo që ai e cilësoi se “opozita e zgjedhur prej Ramës” dhe kështu kreu i i ri i shtetit do të “shitet” si konsensual.

“Alibeaj pranon që PS të caktojë opozitën… Albieaj pranoi marrëveshjen për llogari të Ramës. Dhe, pa asnjë tagër ka kërkuar mbledhjen e Grupit Parlamentar për të legalizuar marrëveshjen e  tij me Ramën.  PD  e dënon marrëveshjen e pavlerë, si një akt që synon të krijojë një opozitë marionetë dhe që i garanton presidentin Ramës.”

Kujtojmë se Enkelejd Alibeaj, të cilit “Rithemelimi” i referohet thjesht si deputet, do të mbledhë sot Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike. Mbledhja do të mbahet mesditën e së enjtes në selinë blu dhe pritet të diskutohet për procesin e përzgjedhjes së Presidentit.

DEKLARATA E PLOTË

“Me 18 maj 2017, Basha i fali Ramës zgjedhjet duke pranuar që të mos përdorej koalicioni. Rama ia kërkoi heqjen e koalicionit që ta lejonte Bashën të dilte nga çadra e të hynte në zgjedhje dhe Basha e pranoi marrëveshjen.
 
Dje më 18 maj 2022, pesë vite më pas, u shpall një marrëveshje e re. Taulant Balla i dha të drejtën deputetit Alibeaj që të propozojë kandidatë për President në raundin e dytë dhe të tretë.  Me këtë akt Rama kërkon që kandidatin e tij te preferuar ta sjellë opozita e caktuar prej tij dhe ajo t’i sigurojë 84 votat për ta shitur si president konsensual. Me marrëveshjen e djeshme Alibeaj ka marrë përsipër t’ia sigurojë këtë. 
 
Alibeaj pranon që Partia Socialiste të caktojë edhe opozitën, por edhe sa herë ka të drejtë opozita të propozojë kandidatë për president. 
 
Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur deputetët e Partisë Demokratike që të legalizojë marrëveshjen e tj personale me Ballën, marreveshje që i siguron Edi Ramës një president kukull me veshje konsensualiteti kallp. 
 
Deputetët e Partisë Demokratike janë të ndërgjegjshëm që përfaqsojnë vullnetet e demokratëve të shprehura nga organet e tyre më të larta përfaqsuese dhe jo vullnete dhe pazare personale. 
 
Opozita nuk ka nevojë marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo e drejtë është në Kushtetutë. Partia Demokratike e ka përcaktuar qëndrimin e saj të qartë dhe konstruktiv me rezolutë të Këshillit Kombëtar. Partia demokratike e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë si një akt që synon të krijojë një opozitë marionetë dhe t’i dorëzojë presidentin Edi Ramës.
 
Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i unitetit të popullit, që vjen nga vullnete përfaqësuese politike bazuar në vote, dhe jo një kukull e një marrëveshje vasaliteti të lidhur në përvjetorin e pestë të një marrëveshjeje famëkeqe.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!