Asgjë nuk ekzistonte. Edhe pse skena e madhe e “San Siro” ishte e shkëlqyer si përherë, në Teatrin e futbollit munguan aktorët.
Milani, i pritur me padurim nga mbi 68 000 spektatorë në tribuna, sikur nuk u duk fare në fushë dhe pësoi një humbje të turpshme e të rëndë në startin e Ligës së Europës.
Në fund, edhe u vërshëllye ashpër.
Benfika ia doli 2-0 jashtë fushe, në një klasike futbolli që ndoshta ka mbi 35 vjet që ka dalë nga historia.
Edhe pse statistikat flasin për barazpeshë, sërish italianët nuk rrezikuan thuajse kurrë, ndërsa portugezët e patën të lehtë të shënonin dy golat, me autorë Lukebakio që në 16’ dhe Kaminski në 53’.
Polaku dha edhe asistin e rrjetës së parë.
Kjo paraqitje nuk pritej, sepse kuqezinjtë nuk është se kanë qenë kaq dobët në Serinë A. Vërtet janë 4 pikë prapa kreut, por nuk kanë asnjë humbje dhe gjithçka mund të rikuperohet.
Goditja në kontinent ndoshta na tregoi Milanin e vërtetë, ndonëse Liga e Europës sapo ka filluar. “Milani nuk është, – kritikon ashpër “La Gazeta delo Sport”, – pa lojë, mbrojtje katastrofë. Ramos nuk godet kurrë portën, portugezët ia dalin lehtë!”
“Furtunë për Amorimin, – shkruan “Il Korriere delo Sport” për trajnerin kuqezi, – nisje tronditëse! Milani në fund të detit dhe I vërshëllyer! Nuk ekziston asgjë që të të kujtojë një skuadër!”
Trajneri Amorim rrezikon stolin, edhe lombardët rrezikojnë një tjetër sezon të dështuar ashtu si vjet, që do të ishte edhe më shumë shkatërrimtar për një klub kaq të madh.

