Zyrtarja amerikane mbërrin në Shqipëri, takohet me Varhelyin, zbardhen diskutimet

schedule20:52 - 28 Prill, 2022

schedule 20:52 - 28 Prill, 2022

Ndihmës sekretarja amerikane për çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kanë mbërritur sot në Tiranë.

Lajmin e ka bërë me dije Ambasada Amerikane në vendin tonë pas disa fotove të ndara nga takimi i tyre i parë në vendin tonë. Fillimisht ata janë takuar me Komisionerin Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për të diskutuar mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar mbërritën sot në Shqipëri dhe u takuan me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ata ranë dakord se pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent. Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian”, thuhet në njoftim.

ABC mëson se Karen Donfried do të zhvillojë një takim edhe me 3 zyrtarët demokratë të cilët vijojnë të mbështesin linjën e amerikanëve, Jorida Tabakun, Gazment Bardhin dhe Enklejed Alibeajn.

Ky takim me demokratët vjen 24 orë para Kuvendit të Sali Berishës që synon të zgjedhë kupolën e re drejtuese të Partisë  Demokratike.

Ashtu  sikurse Gabriel Escobar bëri në dhjetor, para mbledhjes së Kuvendit të stadiumit edhe shefja e tij, Donfried pritet të bëjë të qartë qëndrimin e  amerikaneve nëse drejtimin e partisë me te madhe të opozitës e merr Sali Berisha.

Ndërkohë që mesditën e së premtes është parashikuar një takim edhe me kryeministrin Rama rreth orës 12:00.

Ky është takimi i dytë që Yuri Kim zhvillon me Alibeajn në një kohë shumë të shkurtër. Ndërkohë kujtojmë se së fundmi janë shtuar përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadores amerikane. Berisha ka hedhur akuza se Kim po ndikon në procesin e Gjykatës lidhur me drejtimin e PD-së.

Nga ana tjetër pas shpalljes “Non Grata”, SHBA është shprehur se nuk do ta njoh Sali Berishën kurrë si kryetar të PD-së. Ndërkohë vetë Yuri Kim pas një takimi me Enkelejd Alibeja, u shpreh se ai është kryetari i komanduar i PD-së pas tërheqjes së Lulzim Bashës.

Analistët politik, kanë komentuar takimin e zyrtares së lartë të DASH me Alibeajn, duke u shprehur se Karen Donfried prite të mbajë një qëndrim të prerë për Sali Berishën.

/abcnews.al