SHBA-të do të mbledhin 40 vende për të diskutuar ndihmën për Ukrainën

schedule08:08 - 26 Prill, 2022

schedule 08:08 - 26 Prill, 2022

Shtetet e Bashkuara do të mbledhin të martën përfaqësuesit e më shumë se 40 vendeve për të diskutuar luftën në Ukrainë. Takimi pritet të përqendrohet tek armatosja e Kievit në përpjekje për t’u mbrojtur nga një sulm vendimtar rus në lindje të Ukrainës, thanë zyrtarët amerikanë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të drejtojë takimin në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, pas një udhëtimi në Kiev, ku ai premtoi shtimin e mbështetjes amerikane lidhur me përpjekjet e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për luftën në vendin e tij.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Gjenerali Mark Milley, tha se qëllimi kryesor i bisedimeve ishte sinkronizimi dhe koordinimi i shtimit të asistencës së sigurisë për Kievin që përfshin armatim të rëndë, si dhe dronë luftarakë dhe municione.

“Javët e ardhshme do të jenë shumë kritike. Ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të jenë të suksesshëm në fushën e betejës. Dhe ky është me të vërtetë qëllimi i kësaj konference”, tha zoti Milley për gazetarët.

E shtyrë nga një sulm i dështuar në veri të Kievit, Moska ka ridislokuar trupat e saj në lindje për një mësymje tokësore në dy provinca të njohura si Donbas.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, vlerësojnë se Rusia do të mbështetet kryesisht tek sulmet me artileri, në përpjekje për të goditur pozicionet ukrainase, ndërsa Moksa fut trupat tokësore nga drejtime të shumta në përpjekje për të asgjesuar një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë ukrainase.

Por, Shtetet e Bashkuara gjithashtu vlerësojnë se shumë njësi ruse janë dobësuar, me disa që kanë humbur rreth 30% të ushtarëve, një nivel që konsiderohet shumë i lartë nga ushtria amerikane për të vazhduar luftimet, sipas zyrtarëve. Zyrtarët amerikanë flasin për tanke ruse me një individ në bord dhe pa ekuipazh dhe mjete luftarake të vjetëruara apo që pësojnë avari.

Sipas vlerësimeve të zbulimit britanik, rreth 15,000 ushtarë rusë janë vrarë në konflikt, ndërsa janë shkatërruar 2,000 automjete të blinduara, përfshirë rreth 530 tanke, si dhe 60 helikopterë dhe avionë luftarakë, tha të hënën Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace./VOA/