TIRANË- Partia Socialiste ka nisur takimet intensivë me qytetarët, në kuadër të “Pranisë Besnike”, me anë të së cilës do të mbahen shënim të gjitha shqetësimet dhe problematikat me të cilat ato përballen çdo ditë.
Këtë qasje të Partisë Socialiste dhe të qeverisë e komentoi dhe analisti Albatros Rexhaj, i cili tha se Rama e ka kuptuar se politika bëhet me njerëzit dhe aty ku janë njerëzit. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të instalojë “llogaridhënien qytetare”, si një vlerë dhe qasje evropiane.
“Kryeministri Edi Rama e ka kuptuar se politika bëhet me njerëzit, aty ku janë njerëzit. Diferencën e bën komunikimi me njerëzit dhe kryeministri e ka kuptuar këtë, Po krijon diçka të re. Pjesa më e rëndësishme është komunikimi i drejtpërdrejtë me njerëzit. Ai do të instalojë ‘llogaridhënien qytetare’. Kjo është një vlerë evropiane. Ai do ta dërgojë Shqipërinë në Europë. Nuk dërgohet Shqipëria në Evropë vetëm me foto apo me reels-a”, tha ai.
Ai pohoi se qytetarët duan të dinë se si funksionojë hallkat e institucioneve dhe të mbajnë përgjegjës të gjithë ata persona, të cilët nuk i adresojnë siç duhet shqetësimet e tyre.
“Duhet instaluar llogaridhënia në të gjitha hallkat dhe që qytetarët duhet ta dinë se kush është përgjegjës për një dështim. Unë mendoj se Edi Rama në fund do t’ia dalë”, tha ai.
Analisti u ndal edhe te kampi opozitar. Sipas tij, Partia Demokratike është nën hijen e Sali Berishës dhe mbahet peng prej tij. Sa i takon prtoetstës në bulevard, Rexhaj tha se shtresa e mesme është larguar tashmë nga tubimi.
“Opozita ka hallet e veta. Ajo është peng i Sali Berishës, për sa kohë sa do jetë Berisha, aty nuk do ketë një rikrijim. Gjithçka është nën hijen e Sali Berishës. Shtresa e mesme është tërhequr nga sheshi”, tha ai.

