Dhunohet drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:45 të mëngjesit të së dielës, datë 6 shtator, në mes të qytetit. Tabaku dyshohet se është goditur nga dy persona. Autorët e dyshuar janë Endri Çopja dhe Horgito Peqini. Ndërsa dyshohet se gjatë sulmit janë përdorur edhe sende të forta, pasi sipas kartelës mjekësore, Tabaku ka pësuar dy fraktura në kokë.
I dëmtuari ka zgjedhur të mos bëjë kallëzim në Policinë e Elbasanit, që megjithatë ka nisur hetimet me iniciativë, për shkak se shumë qytetarë janë bërë dëshmitarë të ngjarjes. Burimet thonë se po verifikohen rrethanat e ngjarjes, ndërsa një prej pistave të dyshuara për motivin lidhet me një konflikt për punësimin.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Luan Tabaku kishte larguar nga puna në Bashkinë e Elbasanit bashkëshorten e Endri Çopjas dhe ky vendim mund të ketë sjellë përplasjen mes tyre.
Përtej dhunës fizike ndaj një zyrtari të Bashkisë, ngjarjen e bën më të rëndë përfshirja e personave me precedentë penalë, e mbi të gjitha, dy prej tyre të sapoliruar nga burgu për vrasje.
Endri Çopja është arrestuar më herët nga policia si i dyshuar për përfshirjen në atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2018 në Shkodër, ndonëse u lirua pasi nuk u gjetën prova.
Nga ana tjetër, i dyshuari tjetër Horgito Peqini, nipi i Eduart Peqinit, i njohur si “Mandela i Elbasanit”, vetëm pak kohë më parë ishte liruar nga burgu, ku po ashtu kishte vuajtur një dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2022.
Edhe vetë drejtori i Ujësjellësit, Luan Tabaku, është një emër i njohur në Elbasan. Prej kohësh ai është përfolur si një prej njerëzve të afërt me Suel Çelën. Në prill të vitit 2025 Tabakut iu ushtruan kontrolle nga agjentët e BKH-së dhe policia shtetit, ndërsa vetëm disa muaj më pas ai u paraqit në Prokurorinë e Posaccme pasi dyshohej se ka favorizuar Suel Çelën në tendëra publikë. Deri tani nuk ka asnje te ndaluar ne lidhje me ngjarje e ndodhur disa ditë më parë.

