Rusia ka rikthyer sulmet ajrore masive ndaj Kievit, pas përfundimit të armëpushimit treditësh në kryeqytetet e Rusisë dhe Ukrainës si pasojë e vizitave të të dërguarve amerikanë për paqen.
Sulmet me raketa dhe drone tronditën kryeqytetin ukrainas mëngjesin e të martës duke shkaktuar të paktën 3 viktima dhe duke plagosur 16 të tjerë, sipas asaj që deklaroi Kryebashkiaku i Ukrainës, Vitali Klitschko.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në të gjithë qytetin, ndërsa sulmet shkaktuan zjarre në disa zona të Kievit. Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katarina Mathernova, e përshkroi situatën duke thënë se “Kievi po shpërthente dhe digjej”. Banorët e Kievit u strehuan në metronë e qytetit, ndërsa shpërthimet tronditën kryeqytetin dhe ndriçuan qiellin gjatë natës.
Pas sulmit, Ministri i Jashtëm ukrainas bëri thirrje ndaj aleatëve ndërkombëtarë që të rrisnin presionin ndaj Moskës dhe të siguronin më shumë raketa interceptuese për mbrojtjen ajrore, duke paralajmëruar se rezervat e Kievit për të përballuar raketat balistike janë në nivele kritike të ulëta. Përveç Kievit, sulmet ruse prekën edhe tetë rajone të tjera të Ukrainës.
Në rajonin verior të Sumit, dronët rusë goditën një tren, duke detyruar evakuimin e afro 100 personave. Ndërkohë, në periferi të qytetit port të Odesës, tre persona u plagosën nga një sulm në një treg, sipas guvernatorit të rajonit.
Në muajt e fundit, ndërsa vijat e frontit kanë mbetur kryesisht të pandryshuara, Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë. Ukraina ka goditur infrastrukturën ruse të naftës dhe depo të kompanive të shitjeve online, në përpjekje për të rritur koston e luftës për Moskën. Këtë të martë, goditjet ukrainase me drone ndaj Rusisë kanë shkaktuar të paktën tre viktima në rajonin e aneksuar të Krimesë, në qytetin e Saratovit dhe në rajonin e Bryanskut.

