BARI- 35 vjet pas mbërritjes së shqiptarëve në Bari, Lidia Dalfino, vajza e ish-kryebashkiakut të qytetit, Enrico Dalfino, ka rrëfyer se si i përjetoi familja ato ditë të vështira dhe vendimin e të atit për të mirëpritur mijëra shqiptarë.
Në një intervistë për emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” të gazetarit Artur Nura në ABC News, Lidia Dalfino tregoi se u kthye menjëherë nga pushimet dhe gjeti të atin të shqetësuar, jo për pasojat politike që mund të sillte vendimi i tij, por për fatin e rreth 20 mijë shqiptarëve.
Sipas saj, Enrico Dalfino e dinte se vendimi për t’i mirëpritur shqiptarët nuk do të ishte i lehtë, por ai ishte një njeri altruist dhe i vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Ajo kujtoi edhe momentet kur i ati hynte në stadium dhe në anije, ku përballej drejtpërdrejt me vuajtjet e shqiptarëve. Kur kthehej në shtëpi, tregonte histori për gratë dhe fëmijët që kishte ndihmuar dhe, sipas vajzës së tij, nuk u pendua kurrë për vendimin që kishte marrë.
Por qëndrimi i tij solli përplasje me institucionet e larta italiane. Lidia Dalfino tregoi se edhe takimi me Presidentin Francesco Cossiga ishte një moment i vështirë për familjen, ndërsa muaj më vonë Enrico Dalfino u sëmur.
Vajza e tij, e cila është mjeke, tha se nuk mund të përcaktohet nëse stresi i asaj periudhe shkaktoi sëmundjen, por ndikimi i stresit në shëndet nuk mund të përjashtohet.
Pavarësisht vuajtjeve, Lidia Dalfino thotë se sot ndihet krenare për qëndrimin e të atit. Ajo theksoi se 35 vite më vonë, Enrico Dalfino do të ishte i lumtur të shihte marrëdhëniet e krijuara mes familjes së tij dhe shqiptarëve. Për shqiptarët, figura e Enrico Dalfino-s është kthyer në simbol të mikpritjes së Barit dhe të një vendimi që, pavarësisht kostos politike dhe personale për të, mbetet i lidhur me humanizmin dhe solidaritetin.
Intervista e plotë:
Artur Nura : Faleminderit. Zonjë, unë do të doja t’u bëja të ditur të gjithë shqiptarëve se si e ka përjetuar familja e kryetarit të Bashkisë, Enrico Dalfinos ato dite… Ato momente të vështira, ai vendim që është bërë një institucion jo vetëm për banorët e Barit, por edhe për shqiptarët, nuk ka qenë e lehtë, apo jo?
Lidia Dalfino : Ka qenë shumë e vështirë. Mbaj mend që isha me pushime, u ktheva menjëherë dhe përjetova një baba të shqetësuar, një baba që në të vërtetë ishte më shumë i shqetësuar për ata njerëz sesa për atë që po ndodhte rreth tij në lidhje me vendimet politike. Shqetësimi për këtë të fundit erdhi në ditët pasuese.
Ai me siguri e dinte se nuk do të ishte e lehtë të merrte ato vendime kaq të rëndësishme për rreth 20 mijë shqiptarë. Ai e dinte këtë, por ai ka qenë gjithmonë, dhe na ka edukuar gjithmonë, si një njeri shumë altruist dhe shumë i vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve.
Ai nuk ishte politikan, ai ishte një individ shumë njerëzor, ndaj është e qartë se në atë moment të një vështirësie ekstreme, kur veprohet me racionalitet, por edhe me instinkt, kjo varet nga mënyra se si je.
Artur Nura: Por ai arriti të hynte në stadium në atë moment dhe kjo nuk ishte diçka e vogël.
Lidia Dalfino: Ai arriti të hynte dhe, kur kthehej në shtëpi në mbrëmje, më tregonte histori njerëzish. Kishte shpëtuar gra, fëmijë. Po, kishte hyrë edhe në anije dhe më ka treguar histori vuajtjesh.
Kur kthehej në shtëpi shumë vonë në mbrëmje, ai ishte vërtet i trishtuar për atë që po ndodhte dhe nuk u pendua kurrë për atë që kishte thënë dhe për atë që kishte bërë.
Edhe kur shkuam te Presidenti Cossiga, pati një sqarim, do të thosha, mes burrash, përpara se të ishin njerëz të institucioneve. Ai më shpjegoi mua, që isha një vajzë e re, se i ishte dashur, në një farë mënyre, ta trajtonte keq babanë, sepse arsyeja e shtetit në atë moment duhej të mbizotëronte.
Artur Nura: Por ajo mënyrë e keqe e trajtimit të kryetarit të Bashkisë së Barit nuk është diçka e lehtë për një njeri si babai juaj, i cili, me sa kam kuptuar, ishte një person i jashtëzakonshëm…
Lidia Dalfino : Sigurisht që ai vuajti shumë më pas. Ai vuajti jashtëzakonisht shumë dhe, sipas mendimit tim, unë jam mjeke, pak muaj më vonë u sëmur. Ishte dhimbje.
Artur Nura: Pra, shkaqet ishin edhe këto…
Lidia Dalfino: Nuk mund të thuhet, por stresi sigurisht ndikon në sëmundje të atij lloji, ndaj unë nuk e përjashtoj që, në njëfarë mënyre, ajo ngjarje të ketë ndikuar.
Artur Nura : Sikur të ishte këtu sot, do të ishte shumë i lumtur për gjithçka që po thoni, e po thone edhe te tjeret. Por ai që është besimtar, ai që beson, me siguri është i nderuar për atë që ka bërë, për atë që ka vuajtur, por të gjithë ne i jemi mirënjohës.
Kur them të gjithë ne, edhe shqiptarët i janë mirënjohës, sepse më kanë kontaktuar disa prej tyre dhe më kanë thënë: “Po, është edhe episodi i stadiumit…” Dhe pastaj thoshin: “I vetmi që e kuptoi situatën dhe veproi në mënyrën e duhur ishte kryetari i Bashkisë.”
Pra, ajo që ai sakrifikoi nuk shkoi kot, apo jo?
Lidia Dalfino : Absolutisht jo. Prandaj ju them se sot, 35 vjet më vonë, ai do të ishte shumë i lumtur për të gjitha këto. Familja ime ka shumë miq dhe mike shqiptarë. Ai do të kishte qenë jashtëzakonisht i lumtur t’i njihte dhe të ishte mik i tyre.
Artur Nura : Ju sigurisht keni vuajtur nga sëmundja e babait tuaj. Ju, si mjeke, siç thatë me të drejtë, ma ka thënë edhe vëllai juaj, se stresi që solli konflikti mes institucioneve, kryetarit të Bashkisë dhe Presidentit të Republikës, e bëri të vuante, e bëri të sëmurej dhe kjo është diçka.
Por tani, si mjeke, si bijë, si qytetare e Barit, a ndiheni disi të shëruar nga kjo plagë?
Lidia Dalfino :Në njëfarë mënyre, këto gjëra përpunohen dhe përballohen me kalimin e kohës. Në fund të fundit, unë pata një baba që ishte koherent dhe i drejtë në sjelljen e tij, sjellja e të cilit sot nderohet dhe kremtohet, ndaj unë e kam përpunuar në këtë mënyrë.
Artur Nura : Edhe ne e nderojmë kryesisht përmes televizionit ABC News Albania, por në mënyrë të veçantë përmes programit “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Në këtë rast, ato na çuan te Enrico Dalfino, i cili tashmë është bërë një institucion i mikpritjes, që të gjithë duhet ta mësojnë.
Dhe vajza e tij, e cila për herë të parë flet për një gazetar, e patë të gjithë ju në vetën e parë. Do ta bëj përkthimin më pas.
Ju falënderoj nga zemra.
Lidia Dalfino :
Faleminderit ju.

