Tentuan të largoheshin nga Shqipëria, në pranga dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krim të organizuar dhe trafikim droge

schedule11:25 - 13 Prill, 2022

schedule 11:25 - 13 Prill, 2022

Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar  për trafikim dhe kultivim të lëndëve narkotike  janë kapur nga policia kufitare në Rinas dhe Muriqan.

Në Rinas është kapur një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale“ dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Policia bën me dije se i arrestuari është 31-vjeçari me iniciale A.P  banues në Rrogozhinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e L’Aquila, Itali, më datë 15.10.2021, ka lëshuar urdhër arrestin për këtë shtetas, për veprat penale “Organizata kriminale“ dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”

Ndërsa në doganën e Muriqanit ne Shkodër është ë kapur një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim lëndësh narkotike dhe një person tjetër që mbante lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.

I arrestuari është shtetasi me iniciali D.K 61 vjeç  banues në Ulqin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Kecskemét, Hungari, më datë 20.06.2019, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Njoftimi i policisë

 Vijojnë kontrollet në pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe homologëve, janë kapur 2 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjithashtu, janë goditur dhe 3 raste të paligjshmërisë.

Në PKK Rinas është kapur një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale“ dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Në PKK Muriqan, Shkodër, është kapur një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim lëndësh narkotike dhe një person tjetër që mbante lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.

Në PKK Port Durrës është kapur në flagrancë një shtetas që tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë dhe një shtetas tjetër që kishte lëndë narkotike me vete.

Shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë kontrollet në pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave në kërkim apo të atyre që tentojnë të kalojnë kufirin me sende të paligjshme.

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë vendin janë kapur 2 persona të shpallur në kërkim dhe janë goditur 3 raste të paligjshmërisë, konkretisht:

-Në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, në dalje të RSH-së, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. P., 31 vjeç, banues në Rrogozhinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e L’Aquila, Itali, më datë 15.10.2021, ka lëshuar urdhër arrestin për këtë shtetas, për veprat penale “Organizata kriminale“ dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Në bashkëpunim me Interpol Roma, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

-Në PKK Muriqan, Shkodër, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Budapest, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kapur dhe ndaluar shtetasin Naser Biseviç, 61 vjeç, banues në Ulqin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Kecskemét, Hungari, më datë 20.06.2019, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Në bashkëpunim me Interpol Budapest, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Hungarisë.

Gjithashtu, në këtë pikë kufitare, është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi D. K., 19 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, me arsim 9 klasë, sepse gjatë kontrollit fizik i janë gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, një grirëse hashahi dhe një armë e ftohtë (thikë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

-Në PKK Port Durrës është goditur një rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Kufitare. Shërbimet e Policisë kufitare kanë proceduar penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasin D. S., 48 vjeç, pasi i ka ofruar atyre, një shumë parash, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, në këtë pikë kufitare, në dalje, është kapur në flagrancë me një sasi lënde narkotike, shtetasja italiane G. C., 24 vjeçe, e cila në përfundim të veprimeve hetimore është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet i kaluan Prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/