Masat e parashikuara në kuadër të Paketës Antidhunë kanë sjellë ndëshkimin e 16 personave, të cilët gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve.
Sipas bluve të Tiranës ndaj 16 protestuesve janë vendosur gjoba në vlerën 50 mijë lekë.
14 persona janë ndëshkuar pasi janë shoqëruar nga policia, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar përmes pamjeve filmike.
Policia thotë se protestuesit kanë vijuar të mbajnë të bllokuar rrugën, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve përmes megafonit për lirimin e saj dhe rikthimin e qarkullimit normal të automjeteve.
Ndërkohë, në fokus të hetimeve janë edhe dy shtetas të mitur, të cilët dyshohet se gjatë protestës së organizuar nga studentët, më 2 nëntor, kanë kryer veprime të kundërligjshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndërsa kanë qenë të maskuar.
Në sajë të hetimeve, masa ndëshkuese e tyre do të faturohet tek prindërit ose kujdestarët ligjore, sipas paketës së re anti dhune.



