Çështja e lobimit të PD-së, Nano: Është lojë politike

schedule20:15 - 26 Mars, 2019

schedule 20:15 - 26 Mars, 2019

Mustafa Nano e konsideron shumë të mirë thirrjen që i është bërë Lulzim Bashës në lidhje me çështjen e lobimit të PD-së. Kjo është një çështje që duhet sqaruar dhe hetuar sipas moderatorit të emisionit “Provokacija”.

Mirëpo, ai thekson se përpara tij duheshin thirrur kreu i qeverisë ose ndonjë ministër pasi janë ata që mbajnë qesen e parave publike prej 6 vitesh dhe janë ata që kanë abuzuar me shpenzimet sipas tij. Si rast, Nano mori shembull investimin te Unaza e Re.

“Prokuroria ka thirrur Lulzim Bashën për disa pagesa të çuditshme të bëra gjatë zgjedhjeve të fundit, të cilat nuk figurojnë në listën e shpenzimeve të bëra gjatë fushatës nga kjo parti. Bëhet fjalë për 650 mijë dollarë të përdorura për lobim. Dhe prokuroria ka bërë shumë mirë që e ka thirrur Bashën. Kjo punë duhet sqaruar dhe hetuar. Ne duhet të marrim vesh se nga kanë dalë këto 650 mijë dollarë, në dorën e kujt kanë shkuar, dhe për ç’qëllim i janë dhënë atij që i janë dhënë. Prandaj, përsëris, bravo prokuroria. Ju lumtë!

Mirëpo, një pyetje lind: Bashën gjetën këta për të thirrur të parin? Në rrethanat që ca njerëz të tjerë mbajnë prej 6 vitesh nën kontroll qesen e parave publike dhe i kanë shpenzuar këto para në mënyrën më abuzive të mundshme, pritej nga prokurorët të thërrisnin një prej ministrave të qeverisë, apo vetë kryeministrin. Dhe në këtë rast fjalën “abuzive” nuk është se e lëshoj kuturu. Jo, abuzimi është i provuar. Më i fundit është ai i investimit te Unaza e Re, ku abuzimi doli sheshit. Dhe nuk është ndaluar askush nga prokuroria. Madje, as që kemi ndonjë informacion se çfarë bëhet me hetimin e kësaj bëme korruptive spektakolare.

Por ky është vetëm një rast. Rastet e përdorimit abuziv të pushtetit nga kjo maxhorancë e nga ky kryeministër janë të pafundme. Mjaft të përmendim faktin që nuk ka një tender, në të cilin oferta fituese të mos jetë e barabartë, ose pothuajse e barabartë, me shumën e vlerës limit të përcaktuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pothuajse në të gjitha rastet pra, nëse vlera e fondit limit është iks lekë, oferta fituese është iks minus ca qindarka. Dhe nuk ka asnjë hetim për tenderime të tilla, të paktën për të na thënë që plasini sytë, nuk ka asnjë provë korrupsioni, thjesht biznesmenët, që të gjithë biznesmenët që konkurrojnë, janë magjistarë, që i bien në kokë, pam, shumës së vlerës limit të investimit”, tha ai.

Hetimi i Bashës sipas Nanos është një lojë politike dhe prova e qartë që prokuroria është vegël e kryeministrit.

“Të hetosh Bashën është OK, pasi Basha e ka zakon abuzimin, gjë që e ka treguar me kohë, por në të njëjtën kohë të mos hetosh Edi Ramën, të mos hetosh asnjë zyrtar të lartë të kësaj administrate, e cila është më e korruptuara në historinë e shtetit shqiptar dhe për këtë nuk ka nevojë për prova, ky është një fakt që dihet ashtu si dihet që Edi Rama e ka shtëpinë në Surrel, të mos hetosh pra asnjë zyrtar të lartë të kësaj qeverie është një pesë me hiç. Hetimi i Bashës në këtë rrethanë është një poshtërsi, është një lojë politike. Hetimi i Bashës, për mua, edhe pse duket se është një hetim i drejtë, pasi edhe këtu abuzimi duket sheshit, është megjithatë prova më e qartë se kjo prokurori është vegël qorre në duar e Edi Ramës”, tha Nano. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!