Nuk ka debat në Parlament për protestën e bulevardit. Në Konferencën e Kryetarëve, Partia Socialiste rrëzoi mocionin me debat të kërkuar nga PD për 5 kërkesat e protestuesve, me disa argumente.
Balla: “Nuk e njohim Partinë Demokratike të Sali Berishës si përfaqësuese të protestuesve. Kërkojnë mocion me debat, ndërkohë që kërkesa nr. 1 është dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë. Atëherë, le të sjellë PD mocion besimi, ku të propozojë edhe kryeministrin e ri. A kanë këllqe të sjellin emrin e Sali Berishës?”
Balla konfirmoi se zyrtarisht nuk u ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga protestuesit, por tha se ka dy kushte për t’u ulur e biseduar:
“ Të mbështesin integrimin europian të Shqipërisë në BE. Të distancohen nga elementë dhe shtete armiqësore si Irani, Rusia etj, me qëllime dashakeqëse ndaj Shqipërisë.” tha Balla.
Për këtë, Balla kishte një deklaratë të fortë për zëdhënësin e 5 kërkesave të protestuesve, Dritan Goxhajn.
“Nuk ka asnjë dyshim që Dritan Goxhaj punon për regjimin iranian. Pse nuk arrestohet? Nuk arrestoj askënd. Arrestimet në demokraci i bën prokuroria. Një person që e quan presidentin amerikan terrorist, që i quan SHBA-të terroriste, mbron Iranin dhe sulmon SHBA-në, është një person që ka lidhje me agjenturën iraniane.”
Por a i trembet PS rrjedhjeve nga grupi parlamentar në bulevard? Pas Marjana Koçekut, a është radha e Elisa Spiropalit? Balla kishte vetëm një mesazh:
“Koha do ta provojë. Le të dalin një herë pa grushtin dhe trëndafilin socialist dhe e shohim.” shtoi ai./abcnews.al



