Ushtria izraelite (IDF) ka nisur një operacion të ri ushtarak në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që prej tetorit 2025.
Operacioni po zhvillohet pranë të ashtuquajturës “Vijë e Verdhë”, në zonat e Bureijit dhe Nuseiratit. Sipas njoftimit të Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare të Izraelit në Territoret Palestineze (COGAT), ndërhyrja ushtarake përfshin tri zona të identifikuara me numrat 660, 661 dhe 666.
Autoritetet izraelite bëjnë me dije se objektivi i operacionit është goditja e infrastrukturës së Hamasit, të cilën Izraeli e cilëson si infrastrukturë terroriste.
Në kuadër të ndërhyrjes, banorëve palestinezë u është kërkuar të qëndrojnë larg zonave të prekura deri në një njoftim të mëtejshëm. Gjithashtu, disa segmente të rrugës Salah al-Din, një prej akseve kryesore që lidh veriun me jugun e Rripit të Gazës, do të mbyllen përkohësisht.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga agjencia Reuters, tanke dhe automjete të blinduara izraelite kanë hyrë në zonë dhe kanë avancuar përgjatë rrugës Salah al-Din.
Kjo shënon herën e parë që mjete të tilla ushtarake hyjnë në këtë zonë që prej vendosjes së armëpushimit në tetor 2025.
Zhvillimet e fundit ngrenë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe situatën e sigurisë për civilët në Rripin e Gazës.



