Kapja e skafit me 1.6 ton marijuanë konsiderohet një sukses nga autoritetet greke. Mediat fqinje flasin për mafie shqiptare të mirëorganizuar. Gjashtë shqiptarë, dy italianë, dy grekë dhe një bullgar janë të arrestuarit. Në mesin e tyre është edhe një biznesmen i njohur grek që ka disa restorante në ishullin e Mikonos. Sipas hetimeve nga policia greke, ky biznesmen u siguronte gomonet trafikantëve.
Bëhet me dije se ngarkesa prej 1.6 ton marijuanë do të trafikohej në Turqi. Ndërkohë, burime të së përditshme greke “Kathimerini” thonë se ky grup kriminal pasi të transportonte marijuanën në Turqi, do të sillte në Shqipëri një ngakesë heroine. “Kathimerini” shkruan gjithashtu se kjo organizatë kriminal qëndron pas dy rasteve të trafikut të drogës në Prill dhe Shtator 2017 nga Shqipëria në Itali.
Në rastin e parë, u tentua të trafikoheshin drejt brigjeve italiane 1.5 ton hashash dhe u arrestuan shtatë persona, dy grekë dhe pesë shqiptarë. Kurse rasti i dytë ka të bëjë me trafikun e 2.3 ton hashash sërish drejt Italisë me një gomone në pronësi të një biznesmeni grek. Një shqiptar 24-vjeçar dhe një 63-vjeçar italian u arrestuan për këtë ngjarjen. Sipas burimeve të “Kathimerini”, marijuana i përket bandës së Habilajve.
“Sipas të dhënave paraprake, trafiku i 1.6 ton kanabis nga Shqipëria në Turqi ishte planifikuar të bëhej më herët, por u pezullua për shkak të zhvillimeve në Shqipëri. Anëtarët e rrjetit kriminal thuhet se u alarmuan nga arrestimet që bëri Guarda di Finanza në Tetor. Ndër të arrestuarit ishte dhe një i afërm i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë”, shkruan gazeta greke “Kathimerini”.
Policia Kufitare Shqiptare ka qenë në dijeni të këtij operacioni nga pala greke. Sikurse raportuam edhe dje, e njëjta gomone ishte në monitorim prej dy javësh pasi kishte tentuar që të nisej nga brigjet e Korfuzit, por pas një defekti në motor ishte kthyer pas./abcnews.al