BRUKSEL- Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me Presidentin e Këshillit Europian, António Costa. Kryeministri Rama më herët ishte pjesë e një paneli diskutimesh në Bruksel.
Ai kërkoi Bashkimit Europian të ndryshojë qasje ndaj zgjerimit, duke propozuar që vendet kandidate të ulen në tryezën europiane pa pritur përfundimin e të gjithë kapitujve të negociatave.
Më tej, kërkoi që Europa të gjejë momentin e saj historik dhe të mos rrezikojë që vendet e Ballkanit të largohen drejt alternativave të tjera gjeopolitike. Për Shqipërinë, mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë “nuk kërkojmë alternativa, duam vetëm Europën”.
“E mira është që ne nuk duam dhe nuk po kërkojmë alternativa. Ne duam që të bashkohemi me BE. Nuk ikni dot prej nesh, nuk shpëtoni dot prej nesh. Kështu që na merrni brenda.” u shpreh Rama”, tha ai.
Kreu i qeverisë ka theksuar se Shqipëria synon t’i mbyllë kapitujt brenda vitit 2027, ndërsa anëtarësimi të përfundojë brenda vitit 2030./abcnews.al



