Shfajësimi nga “Russiagate”, Trump nis fushatën e shpagimit

schedule21:52 - 25 Mars, 2019

schedule 21:52 - 25 Mars, 2019

Presidenti Trump ka paralajmëruar nisjen e një fushate shpagimi ndaj njerëzve që sipas tij e akuzuan padrejtësisht. Edhe pse nuk ka përmendur emra, Trump ka deklaruar se bëhet fjalë për njerëz të ligj, që sipas tij kanë bërë gjëra shumë të rënda në dëm të Shteteve të Bashkuara.

Një ditë pasi u shfajësua nga akuza për lidhje me Rusinë, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar armiqtë e tij se do të jenë subjekt i kontrolleve të imtësishme për ato që kanë bërë. Sipas Trump, personat në fjalë kanë bërë gjëra shumë të këqija, pasojat e të cilave kanë rënë mbi Shtetet e Bashkuara. Duke folur nga Dhoma Ovale, presidenti amerikan ka theksuar gjithashtu se ngritja e akuzave bazuar në rrëfime të rreme nuk duhet të përsëritet më ndaj asnjë presidenti. Trump ka qenë duke pritur në një takim kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu kur është pyetur nga një reporter mbi përfundimet e raportit të Robert Myler.

“Ka shumë njerëz të këqij, që kanë bërë gjëra shumë të këqija, disa prej të cilave arrijnë në tradhti ndaj vendit tonë”, ka deklaruar Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka bërë me dije se personat në fjalë i ka kontrolluar edhe më parë për një periudhë të gjatë dhe do të vazhdojë kontrollin ndaj tyre.

“Këta njerëz duhet të ishin kontrolluar nga institucionet përkatëse, sepse dihet se kush janë dhe dihet që kanë mashtruar Kongresin”, ka vijuar Trump pa përmendur emra. Duke komentuar më tej akuzat ndaj tij, presidenti amerikan ka nënvizuar se ato u ngritën mbi rrëfime të rreme dhe të tmerrshme, një veprim që sipas tij nuk duhet të përsëritet më kurrë. “Këtë e them dhe e them fuqishëm”, ka shtuar Trump./abcnews.al