Gjatë një takimi me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, në këtë kohë sfiduese kur lufta në Ukrainë ka cënuar krejt zinxhirin e marrëdhënieve tregtare në Europë e në botë, kryeministri Edi Rama ka folur për garancinë sovrane të ofruar në këtë situatë krize.
Kjo luftë, kryeministri Rama tha se ka impaktuar të gjitha marrëdhëniet tregtare.
“Nga kriza energjetike te kriza e zinxhirit të furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë në radhë të parë që ka impaktuar të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare në një botë të vogël ku të gjitha ndërveprimet janë të lidhura. Krijimi i këtyre 2 bordeve është përpjekje anti sistem në sensin që nuk është e natyrshme dhe as e këshillueshme ndërkohë që kemi ngritur këtë sistem të tregut të lirë, ku shteti duhet të ndërhyjë. Për këtë arsye ne e kemi bërë këtë gjë në mënyrë të sjellshme ndaj sistemit po ama s’është e natyrshme një situatë e tillë lufte. E dini në çfarë vështirësie ndodhet zinxhiri”.
Rama tha se kjo garanci është me qëllim që të gjithë ata që janë të përfshirë në zinxhirin e ushqimit të kenë mundësinë të shpenzojnë më shumë se zakonisht.
“80% e uresë prodhohet në Ukrainë për Evropën. Kështu janë edhe hallkat e tjera të ndërlidhura. Ndërkohë ne e mirëkuptojmë situatën tuaj edhe të pasigurisë në financim por edhe të pasigurisë së përgjithshme se sa do zgjasë kjo situatë. Ça ndodh nëse kjo situatë lehtësohet më parë, prandaj kemi vendosur garancinë sovrane për ju që ju mund ta merrni e ta përdorni për të marrë edhe më shumë furnizim se zakonisht për të pasur për një afat më të gjatë.
Çdo gjë që do mbetet do e marrë shteti, nuk është se do u mbetet pa shitur e kështu do humbisni paratë tuaja. Kjo garanci është për këtë qëllim që të gjithë ata që janë të përfshirë në zinxhirin e ushqimit me lëndë bazë të kenë mundësinë të shpenzojnë më shumë se zakonisht. Për të pasur rezervë ekstra. Kjo rezervë ekstra është rezervë shtetërore. Çdo gjë që do mbetet do e marrë shteti. S’do humbisni asnjë qindarkë”.
/abcneews.al