Bardhi: Nuk më është bërë asnjë thirrje nga policia, protesta është paqësore

schedule13:06 - 21 Mars, 2019

schedule 13:06 - 21 Mars, 2019

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi mohon që t’i jetë drejtuar një thirrje nga policia për të larguar nga protesta të gjithë ata që mbajnë maska. Ai kërkon që të mos provokohen qytetarët pasi sipas tij protesta është paqësore.

Gazment Bardhi, tha për ABC News se jemi duke protestuar në mënyrë paqësore, nuk ka pasur dhunë ndaj policisë.

Gazment Bardhi: As Sandër Kimiku e askush tjetër poshtë tij nuk mund t’u mohojë shqiptarëve të drejtat që i kanë fituar që para 30 vitesh

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në një intervistë nga sheshi i protestës përgënjeshtron deklarimet e policisë se ka marrë njoftime zyrtare se në protestë po ndodhin akte dhune e se do ndërhyhet për shpërndarjen e protestës.

Gazetarja: Zoti Bardhi, në disa raste policia ju është drejtuar ju si organizator i protestës. Pas protestës, keni frikë për ndonjë veprim tjetër të policisë?

Gazment Bardhi: Unë nuk kam dëgjuar gjë. Në telefonin tim nuk ka asnjë thirrje nga Policia e Shtetit. Asnjë akt dhune nuk është ushtruar nga protestuesit, ju jeni dëshmitarë. Ne jemi këtu, policia të mos provokojë. Ne nuk kemi asgjë me punonjësit e policisë, ata janë sigurisht në të njëjtin hall që ka secili prej protestuesve, janë në kushte të njëjta, familjet e tyre nuk kanë bukë për të ngrënë njësoj si protestuesit që janë në shesh, dhe të garantoj se shumica e tyre, nëse nuk do të ishin me uniformë, do të ishin përkrah nesh, sepse vuajnë nga e njëjta problematikë që vuan çdo shqiptar që është sot në shesh, i shkaktuar nga ata njerëz që janë mbyllur në atë godinë dhe po detyrohen me zor të flasin. Por kam përshtypjen që nuk dinë çfarë janë duke folur.

Gazetarja: A keni frikë zoti Bardhi për masat që mund të merren nga policia?

Gazment Bardhi: Asnjë frikë. M’u bëj të fala nga Sandër Lleshaj e gjithë strukturës poshtë tij. Sa kohë që e drejta e protestës është një e drejtë që shqiptarët e kanë fituar 30 vite më parë, as Sandër Kimiku e askush tjetër poshtë tij, as ndonjë militant i PS që ka marrë drejtimin e Policisë së Shtetit gjatë kësaj periudhe nuk mund t’i trembë – mua jo e jo – por as protestuesit e as qytetarët. Ne do të jemi këtu për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur të drejtat që kemi fituar 30 vite më parë./abcnews.al