Pentagoni ka ndërmarrë hapa për të blerë 850 avionë luftarakë F-35 nga kompania amerikane Lockheed Martin gjatë 10 viteve të ardhshme, në kuadër të përpjekjeve të administratës së Donald Trumpit për të rritur kapacitetet e prodhimit ushtarak, transmeton Anadolu.
Marrëveshja e re kornizë, e shpallur të enjten, përfshin 850 avionë F-35 Lightning II për ushtrinë amerikane, si dhe qindra avionë të tjerë për klientë ndërkombëtarë. Ajo parashikon gjithashtu furnizimin me pjesë këmbimi dhe pajisje të tjera të nevojshme për programin.
Marrëveshja synon të mbështesë planin e Lockheed Martin për të prodhuar 156 avionë në vit gjatë viteve të ardhshme, duke siguruar një perspektivë afatgjatë për prodhimin e avionëve luftarakë.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, kompania ka rënë dakord të investojë 7 miliardë dollarë nga burimet e veta për të mbështetur zgjerimin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit.
Megjithatë, marrëveshja e shpallur përbën një hap paraprak drejt kontratës përfundimtare, e cila do të kërkojë miratimin e fondeve prej dhjetëra miliardë dollarësh nga Kongresi amerikan.
Programi F-35, i cili përfshin avionë luftarakë të projektuar për të shmangur zbulimin nga radarët, konsiderohet programi më i kushtueshëm i armatimeve në botë. Kostoja e tij gjatë gjithë ciklit jetësor, përfshirë blerjen, operimin dhe mirëmbajtjen e avionëve, vlerësohet në rreth 2 trilionë dollarë.
Marrëveshja e re shënon një angazhim afatgjatë mes Pentagonit dhe Lockheed Martin, në një kohë kur SHBA-ja synon të forcojë industrinë e saj të mbrojtjes dhe të garantojë kapacitetet e prodhimit në rast të një konflikt i të mundshëm.


