Largimi i Bashës “bashkon” Kryesinë, debate të forta për negociatat me “Foltoren”

schedule20:22 - 23 Mars, 2022

schedule 20:22 - 23 Mars, 2022

Prej orës 19:00 të së mërkurës ka nisur mbledhja e kryesisë së PD e drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj.

Kjo është mbledhja e parë e kryesisë që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës ditën e hënë. Në këtë mbledhje janë rikthyer të gjithë anëtarët e kryesisë të cilët e kishin bojkotuar më herët institucionin, për shkak të kërkesës së tyre për largimin e Bashës.

Në mbledhje ishin të pranishëm Tomorr Alizoti, Helidon Bushati, Ervin Salianji dhe Xhelal Mziu, të cilët nuk kanë qenë në asnjë mbledhje të pranishme muajt e fundit gjatë kohës që Basha ishte në krye të PD.

Mbledhja ka nisur me debate të forta, ku shkak kanë qenë propozimet e anëtarëve të kryesisë për negociatat me palën tjetër atë të ‘Foltores’.

Në nisje të diskutimit Helidon Bushati ka deklaruar se hapi i parë për bashkim është heqja e dyerve të blinduara që mbajti larg demokratët.

Ndërkohë që për Jemin Gjanën kjo është cilësuar një deklaratë e turpshme.

Më tej Gjana kërkoi që të respektoheshin vendimet e 9 shtatorit, që ishte përjashtimi i Sali Berishës, pas vendimit të shpalljes non-grata nga SHBA.

Nga ana tjetër Xhelal Mziu theksoi se bashkimi i demokratëve është emergjent, pasi nëse dhe në zgjedhjet e ardhshme PD do të shkojë e ndarë kjo do të ishte vetëvrasje.

Pjesë nga diskutimi:

Enkelejd Alibeaj- Patëm mbledhje me sekretariatin e partisë për të diskutuar në lidhje me situatën në parti. Së pari, për nesër kemi paraqitur mocion me debat. Është nga shenjat e luftës opozitare. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia, është lufta opozitare në parlament e sinqerte dhe e plotë.

Së dyti, kemi situatën tonë ku jemi. Për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe. Por duhet që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurtë.

Helidon Bushati- Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikes dhe e vlerësimit tonë politik. Duhen akte konkrete për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Xhesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam unë vetëm këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyre ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i pare për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta.

Gjana: Je familje e madhe shkodrane, s’të shkon te vish me propozime për heqje dyersh

Xhelal Mziu- Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’i paraprirë zgjedhjeve të 2023. Rezultati i dt 6 foli për shumicë në anën tjetër. As ne as ata nuk bëjmë dot pa njëri tjetrin. Nëse kryejmë zgjedhjet 2023 në efoizëm, do te ishte vrastare për PD. Duhet të gjejmë mënyrën për t’u bashkuar. Nuk e gjykojmë që dt 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që të bëjmë karshillik njëri tjetrit. Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke patur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu, do të vazhdojmë të mbetemi mënyrë që dhe të papërfaquesuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD. Pra ky grup i përbashkët të garantojmë që nuk ka vend për triumfalizëm.

Gjana: Qëndrimi im përfundimtar në këtë mbeldhje është ky: t’u kthehemi qëndirmeve të mëparshme të 9 shtatorit, 18 dhjetorit, 8 janarit. T’i mbajme ose t’i rrezojmë. Pastaj të shohim a shkohet në negociata. Nëse gjithmonë, gjënë e vendosim ne këtu dhe nuk ka skenarë të tjerë.

Enkelejd Alibeaj:Jo. Nuk ka asnjë lloj skenari. Me aq informacion sa ka.

/Abcnews.al/