Meta: Klasa politike të mos fshihet pas ndërkombëtarëve

schedule13:30 - 18 Mars, 2019

schedule 13:30 - 18 Mars, 2019

Palët sipas Ilir Metës po nxitojnë të thellojnë krizën në vend e cila tashmë sipas Presidentit të Republikës nuk është vetëm politike.

Kreu i Shtetit la të kuptohet se ka ndërmarrë nisma për të shmangur situatën e krijuar, por mesa duket pa rezultat.

“Dua t‘ju siguroj juve se Presidenti ka bërë të gjitha veprimet e tij prej kohësh për të evituar këtë krizë serioze jo vetëm politike,kushtetuese, institucionale, por edhe përfaqësimi tashmë. Është për të ardhur keq që palët kanë nxitur dhe po nxitojnë për të thelluar këtë krizë”.

Qeveria dhe opozita apelon Presidenti i Republikës duhet të marrin përgjegjësi e të dialogojnë pa u fshehur pas ndërkombëtareve.

“Klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari siç ka ndodhur deri tani dhe çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë transparente, me dialog, larg pazareve dhe keqpërdorimeve, qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari”.

I pyetur nga gazetarët për raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror që flet për rritje te influencës ruse në Shqipëri Presidenti i Republikës bëri thirrje të mos përdoret për te fshehur shkakun e krizës e cila tha se është krijuar nga klasa politike shqiptare.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë. Nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian edhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Por nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne”.

Kreu i Shtetit iu përgjigj gazetareve pas një aktiviteti në një universitet privat  ku mori pjesë në një konference kundër kulturës se mënjanimit dhe në dobi të kulturës së dashurisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!