Dita e 23 e luftës, shpërthime në Lviv, vijojnë evakuimet, inteligjenca britanike: Trupat ruse kanë mungesë ushqimesh

schedule14:30 - 18 Mars, 2022

schedule 14:30 - 18 Mars, 2022

Ukraina prej 23 ditësh po përballet me sulmet e egra nga ana e Rusisë. Bombardimet ruse kanë vijuar prej tre javësh në disa qytete të Ukrainës duke shkaktuar mijëra të vrarë mes tyre edhe fëmijë.

Ndërkohë gjatë kësaj të premtje është raportuar se një tjetër sulm mund të ketë ndodhur pranë aeroportit të Lviv  por deri më tani nuk ka raportime në lidhje me viktimat apo nëse vërtet ishte sulm rus.

Ndërkohë vijojnë të jenë të hapura kanalet humanitare për largimin e civilëve nga disa qytete të Ukrainës. Japonia dhe Australia kanë shtuar sanksionet e tyre ndaj Moskës, ndërkohë që Inteligjenca Britanike tha se pushtimi rus ka ngecur në të gjitha frontet dhe trupat po përballen me mungesë ushqimi.

Zhvillimet e ditës së sotme minutë pas minute;

14:09-OKB: Kriza humanitare po rritet në mënyrë eksponenciale për shkak të luftës

“Nevoja për ndihma humanitare në Ukrainë po rritet në mënyrë eksponenciale”, ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, sipas BBC

Matthew Saltmarsh, tha se situata do të vazhdojë të përkeqësohet nëse nuk do të marrin fund luftimet. Shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar në zonat e konfliktit, të paaftë për të përmbushur nevojat e tyre bazë, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet për shkak të ndërprerjes së shërbimeve thelbësore.

Ai tha se situata është veçanërisht e vështirë në qytetet jugore të Ukrainës, zona të cilat janë të rrethuara nga trupat ruse.

14:08-E trishtë! 109 karroca në qendër të Lvivit për të kujtuar fëmijët që u vranë nga sulmet ruse

Në qendrën historike të Lvivit, 109 karroca janë vendosur para bashkisë, për të kujtuar fëmijët që janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm thotë se më shumë se 130 të tjerë janë plagosur. Ai thotë se numri mund të jetë më i lartë për shkak të pamundësisë për të arritur në zonat ku po zhvillohen luftime.

14:00-Zyrtari ukrainas: Bisedimet e paqes me Rusinë janë të vështira

Zëvendës shefi i shtabit të presidentit të Ukrainës tha se bisedimet e paqes me Rusinë janë “shumë të vështira”, shkruan sky news

Ai tha se Ukraina nuk do të heqë dorë nga oferta e saj për anëtarësimin në BE për të bërë kompromis me kërkesat ruse. Deklarata vjen pas bisedimeve për një marrëveshje paqeje prej 15 pikash midis Rusisë dhe Ukrainës, në të  cilat të dyja palët u treguan optimiste.

13:49-Rusia nuk “dorëzohet”, plan për importe paralele në vend, pa lejen e pronarit të markës

Rusia po shqyrton mundësinë e lejimit të shitësve me pakicë të importojnë produkte nga jashtë pa lejen e pronarit të markës tregtare.

Deklarata vjen pasi markat globale duke përfshirë H&M dhe Nike ndaluan shitjet, ose ndaluan eksportet në vend, pas pushtimit të Ukrainës. Si rrjedhojë “importe paralele” pasqyrojnë sesi sektori i shitjes me pakicë në Rusi është përmirësuar nga sanksionet ekonomike perëndimore.

13:55-Kremlin: Biseda mes Putinit dhe Scholz ishte “armiqësore dhe e ndërlikuar”

Biseda e sotme telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz vështirë se mund të quhet miqësore, shkruan la repubblica

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha biseda ishte e ndërlikuar, por gjithsesi profesionale.

Megjithatë,  sipas asaj që raportuan mediat ndërkombëtare, kontaktet e tilla janë ende të nevojshme për shkëmbimin e informacionit dhe diskutimin e temave të ndjeshme që kanë të bëjnë me operacionin special në Ukrainë.

13:53-Von der Leyen: Udhëtimi i Ukrainës drejt BE-së ka filluar

Kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen, është shprehur se Ukraina sapo e ka nisur rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

“Unë e kam siguruar Presidentin Zelensky për mbështetjen e pandërprerë të BE-së. Udhëtimi evropian i Ukrainës tani ka filluar” është shprehur Von der Leyen.

Sipas saj, kohë si këto kërkojnë vizion e qëndrueshmëri për të hedhur një hap të vështirë.

13:48-Lufta Rusi-Ukrainë, vijojnë bisedimet e paqes mes dy delegacioneve

Zyrtarët ukrainas dhe rusë thonë se kanë bërë përparim në negociatat drejt një armëpushimi në luftën 3-javore. Ekspertët vërejnë një ndryshim në kërkesat e Rusisë pasi lufta ka vazhduar shumë më gjatë se sa ishte planifikuar. Por Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se nuk sheh asnjë provë që Rusia të jetë serioze për rrugën e diplomacisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.

13:45-Zelensky bisedë telefonike me Johnson, çfarë u diskutua

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka biseduar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, si pjesë e bisedimeve të vazhdueshme midis dy lidërve.

Në një postim në Twitter, presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Britanisë.

12:57-222 të vrarë në Kiev në 23 ditë lufte, mes tyre 4 fëmijë

222 qytetarë  janë vrarë në Kiev që prej fillimit të pushtimit rus.

Sipas zyrtarëve lokalë,  midis viktimave përfshihen 60 civilë dhe katër fëmijë.

Kryeqyteti u godit nga sulmet e mëngjesit të sotëm, me një person të vrarë dhe ndërtesa të dëmtuara

12:54-Strategjia e Abramovich për të mbrojtur jahtet e tij

Roman Abramovich ka ngritur flamurin e Bermudës në dy prej superjahteve luksoze në pronësinë e tij, duke i dhënë kështu mbrojtje “britanike”, edhe pse është sanksionuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Oligarku rus, i cili është larguar nga Anglia pasi u fut në listën e personave të sanksionuar nga ky shtet si kundërpërgjigje për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i ka regjistruar të dy jahtet e tij në Bermuda, territorin britanik që ndodhet në Karaibe.

12:36-Rusët bombarduan teatrin ku strehoheshin, shpëtohen 130 njerëz në Mariupol

Të paktën 130 persona janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat e teatrit që u bombardua nga forcat ruse në Mariupol, tha komisioneri i të drejtave të njeriut në Ukrainë.

Qindra njerëz ishin strehuar nën tokë kur teatri u bombardua nga Rusia. Në një fjalim televiziv, komisionerja për të drejtat e njeriut Lyudmyla Denisova tha se puna e shpëtimit është duke vazhduar në vend dhe ka ende 1,300 njerëz në bodrum.

12:30-FOTO/ Banorët e Kievit nxitojnë të mbledhin sendet me vlerë nga shtëpitë e rrënuara

Sot është shënuar dita e 23-të e luftës Rusi-Ukrainë, me shpërthime të shumta në disa rajone të vendit.  Lagjia Podil në Kiev është shkatërruar nga sulmet ruse, sipas korrespondentt të skynews Alex Crawford.

12:20-Ukraina: Po diskutojmë me BE-në për “goditjen” e 5-të kundër Rusisë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se po diskuton me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell për një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë

“Ne diskutuam për përgatitjen e paketës së pestë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, shkruan Kuleba në Twitter.

12:14-Taktika ukrainase, mbushin ushtrinë ruse me fletëpalosje: Dorëzohuni dhe fitoni amnisti

Legjioni “Transcarpathian”, në rajonin perëndimor të Ukrainës në kufirin me Sllovakinë dhe Rumaninë, “gjuajti me plumba të posaçëm mbi pushtuesit rusë me një ofertë dorëzimi.

Këto propozime gjenden në fletëpalosje me udhëzime të detajuara për tu dorëzuar.

12:08-Bombardimet pengojnë përpjekjet për shpëtim në teatrin e Mariupolit

Punëtorët për kërkim-shpëtim janë duke vazhduar gërmimet nën rrënojat e teatrit të Mariupolit, për të cilën zyrtarët ukrainas kanë thënë se është goditur nga një raketë ruse të mërkurën, 16 mars.

Qindra civilë besohet se kanë qenë në ndërtesë, e cila ka qenë e shënjuar si strehë për civilë.

Komunikimet janë të vështira në qytetin e rrethuar nga forcat ruse dhe autoritetet ende nuk kanë mundur të vlerësojnë sa ka të mbijetuar dhe viktima potenciale.

11:55-VIDEO/ “Ujqërit” e Ukrainës vrasin 35 “Tigrat” e Rusisë

Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës, apo e njohur ndryshe si “Ujqërit” fijon të shkaktojë humbje të mëdha ndaj forcave të ushtrisë Putin.

Këtë radhë ata kanë shenjestruar një rang elitar të ushtrisë së Putin, duke eliminuar 35 ushtarë të cilësuar si “Tigrat”.

“Ujqërit” kanë publikuar edhe një video nga momentet e sulmit. Ata theksojnë se bën një prit nga armikut.

11:44-Çfarë armësh do të dërgojë SHBA-ja në Ukrainë dhe sa do të ndihmojnë në luftën kundër Rusisë?

Ushtria e Ukrainës po i reziston pushtimit rus më shumë se sa kishin menduar të gjithë, dhe meritë për këtë ka edhe një armë e fuqishme anti-tank e quajtur Javelin. Imazhet në mediat sociale të tankeve ruse të shkatërruara kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Javelin është një sistem rakete antitank që ka një në njësi portative që nuk ndryshon shumë nga një tastierë video-lojërash.  Kjo armë përdoret kundër tankeve, automjeteve të blinduara dhe bunkerëve. Operatori duhet vetëm të fiksojë objektivin.

11:38-E papritur, çfarë propozon Polonia për Ukrainën

Qeveria polake po përgatitet të paraqesë idenë e një misioni paqeruajtës në Ukrainë në samitin e NATO-s dhe Këshillit Evropian.

Kështu deklaroi zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Mueller, i cituar nga agjencia “Pap” dhe i publikuar nga UNIAN.

11:30-VIDEO/ Barkas shtrihu! Momenti kur rusët braktisin blindat pasi ranë në pritë

Rusët janë duke pësuar humbje të mëdha gjatë luftës së tye në Ukrainë duke lënë në fushën e betejës mijëra të vdekur si edhe mjete ushtarake me vlerë miliarda dollar.

Deri më tani vlerësohet se kanë humbur jetën më shumë se 10 000 trupa ruse në Ukrainë, ndërsa forcat vendase flasin për më shumë se 200 tanke të shkatërruar si edhe rreth 90 avionë të rrëzuar.

11:14-Rusët bombardojnë godinat arsimore, një i vdekur dhe 11 të plagosur në Kharkiv

Një person është vrarë dhe 11 janë plagosur pasi rusët bombarduan një institucion të arsimit të lartë dhe ndërtesa banimi në Kharkiv, thonë shërbimet e urgjencës.

Sulmi dëmtoi rëndë ndërtesën arsimore gjashtëkatëshe, së bashku me dy blloqe apartamentesh fqinje, thonë shërbimet, raporton BBC.

10:57-George Soros: Pushtimi i Ukrainës është fillimi i Luftës së Tretë Botërore?

Pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt ishte fillimi i një Lufte të Tretë Botërore që ka potencialin të shkatërrojë qytetërimin tonë. Pushtimi i parapriu një takimi të gjatë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping më 4 shkurt – fillimi i festimeve të Vitit të Ri Hënor Kinez dhe Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.

Në fund të atij takimi, të dy udhëheqësit publikuan një dokument prej 5000 fjalësh, të hartuar me kujdes, që njoftonte një partneritet të ngushtë midis dy vendeve të tyre. Dokumenti është më i fuqishëm se çdo traktat.

10:48-Putin telefonon Scholz: Propozime absurde nga Kievi për të bllokuar negociatat

Në një telefonatë këtë mëngjes, presidenti rus Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz se Kievi po përpiqet të bllokojë bisedimet e paqes me Rusinë.

Megjithatë lideri i Rusisë, shtoi se Moska është ende e interesuar për vazhdimin e negociatave.

10:37-Rusët bombardojnë zonën e banuar në Kiev, kryebashkiaku: Një i vdekur dhe 19 të plagosur

Forcat ruse kanë vijuar me sulmet te civilët.  Një person ka vdekur pas bombardimeve në një zonë të banuar të Kievit, tha kryebashkiaku .

Vitali Klitschko në një postim në rrjetet sociale, ka shpërndarë një vide nga zona e bombarduar.

10:25-Putini kërcënon Europën me bukën e gojës

Rusia ka bllokuar në Detin e Zi rreth 300 anije të ngarkuara me grurë për në BE.

Rreth 300 anije që transportojnë grurë për eksport nga Rusia dhe Ukraina në Evropë janë bllokuar në Detin e Zi nga autoritetet ruse, tha këtë javë tregtari më i madh bujqësor gjerman BayWa.

10:17-Evropa propozon Zelenskyn dhe popullin ukrainas për çmimin Nobel

Politikanët evropianë kanë propozuar Zelenskyn dhe popullin ukrainas për çmimin Nobel.

Një letër e hapur iu dërgua komitetit të çmimit Nobel nga një grup politikanësh evropianë për të kërkuar zgjatjen e afatit për nominimet në mënyrë që të përfshihet edhe propozimi për Volodymyr Zelensky dhe popullin e Ukrainës për Çmimin Nobel për Paqen .

10:01-Kina përpara bisedës me Biden: Respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve

Kina respekton “sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Zhao Lijian, pak përpara nisjes së bisedës së Biden dhe Xi, shkruan CNN

“Kina do të respektojë gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve, duke iu bindur qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së, duke i kushtuar rëndësi shqetësimeve legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve, duke mbështetur të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në zgjidhjen paqësore të krizës dhe lehtësimin e krizës humanitare”, tha Zhao.

09:53-Të paktën tre ukrainas të vrarë nga bombardimet në qytetet lindore

Tre qytetarë ukrainas kanë humbur jetën sot nga shpërthimet ruse, njoftojnë zyrtarët ukrainas.

Një person u vra pasi një ndërtesë arsimore u bombardua mëngjesin e sotëm në qytetin lindor të Kharkiv, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

09:41-Rreth 2 milionë ukrainas janë strehuar në Poloni që nga fillimi i luftës

Rreth 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për në Poloni që nga fillimi i luftës, sipas një deklarate të agjencisë së Gardës Kufitare Polake, shkruan BBC.

Të enjten, 52,500 njerëz kaluan kufirin, një rënie prej 11% nga e mërkura, duke çuar totalin  në 1.9995 milionë.

09:29-Lajme të rreme për luftën, Anglia heq licencën e televizionit shtetëror rus

Autoriteti rregullator për industrinë e transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar (Ofcom) ka hequr licencën e televizionit shtetëror rus “RT”. Kjo do të thotë se do të ndërpritet transmetimi i televizionit rus në Mbretërinë e Bashkuar.

Rregullatori tha se beson se RT është “i pa përshtatshëm” për të mbajtur një licencë transmetimi në Mbretërinë e Bashkuar, pas një hetimi mbi paanshmërinë e mbulimit të lajmeve të pushtimit rus të Ukrainës, shkruan abcnews.al.

09:25-Një tjetër humbje e madhe për Putin, eliminohet komandanti i forcat elitare të ushtrisë ruse

Një tjetër nga komandantët kryesor të ushtrisë së Putin është eliminuar në vijën e frontit të Ukrainës, ndërsa luftëtarët elitë të Rusisë po përballen me një masakër në fushën e betejës.

Sipas “The Sun” së fundmi është eliminuar kolonel Sergei Sukharev, i Regjimentit Sulmues me Parashutë të Gardës 331 nga Kostroma. Lajmi u konfirmua edhe nga TV shtetëror në Moskë.

09:17-Një i vdekur dhe 4 të plagosur nga mbetjet e raketës në Kiev

Një person është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pasi mbetjet e raketës ruse ranë mbi një ndërtesë banimi në pjesën veriore të kryeqytetit ukrainas Kiev të premten në mëngjes, sipas shërbimeve të urgjencës, shkruan BBC

09:06- Avionë, tanke e helikopterë të shkrumbuar, Ukraina nxjerr “tabelën e shënimeve”: Sa rusë kemi eliminuar deri më tani

Sot është shënuar dita 23-të e luftës Rusi-Ukrainë, me shpërthime të shumta që janë raportuar në Lviv. Ndërkohë sipas një deklaratë të ministrisë së mbrojtjes së Ukrainës rreth 14,200 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, shkruan BBC

Në një përditësim të rrallë më 3 mars, Rusia tha se gjatë luftimeve ishin vrarë 498 ushtarë ruse. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë thanë të enjten se numri i viktimave ruse mund të jetë mbi 7,000 dhe 14,000 të plagosur.

08:54- Perëndimi në krahë të Ukrainës, zbulohen armët që i ka dërguar në luftë ndaj Rusisë

Perëndimi është mbështetja kryesore e Ukrainës në agresionin rus të nisur prej tre javësh ndaj saj. Mediat e huaja bëjnë me dije se ndihma ushtarake e Perëndimit filloi me kujdes, por tani përfshin drone që mund të shkatërrojnë tanket ruse.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar një paketë armësh prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, ndërsa Perëndimi rrit ndihmën ushtarake kundër forcave pushtuese ruse. Ndihma ushtarake e perëndimit për Ukrainën filloi me helmeta dhe xhaketa, por tani përfshin drone që mund të shkatërrojnë tanket dhe artilerinë ruse nga 80 kilometra larg.

Perëndimi ka refuzuar vazhdimisht të zbatojë një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, por tani po furnizon një sërë armësh të fuqishme.

08:51- Pamje dramatike, helikopterët rusë sulmon me raketa, ukrainasit e shkrumbojnë në ajër

Pamje dramatike vijnë nga zona e banuar e Popasnaya-s të Ukrainës, e vendosur në rajonin e Luhans’k, ku prej ditësh skena e përleshjeve të dhunshme midis ushtrisë ruse dhe forcave ukrainase mbizotëron në jetën e qytetarëve.

Së fundmi një video tregon sulmin e njëpasnjëshëm të dy helikopterëve luftarakë rusë – një Ka-52 Alligator dhe një Mil Mi-28. Një prej helikopterëve lëshon raketa mbi zonë, po kjo pasohet nga një përgjigje e menjëhershme nga anti-ajrorët ukrainas.

08:31- Frikë nga sulmet e Rusisë? Britania “blindon” qiellin e Polonisë, dalin pamjet nga sistemi “Sky Saber”

Sistemi modern anti-raketë Sky Saber do të zhvillohet në Poloni nga Mbretëria e Bashkuar për të mbrojtur hapësirën ajrore polake ” nga agresioni rus “.

Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace e bëri njoftimin gjatë një vizite në Varshavë , duke thënë se Britania do të zhvillojë një sistem raketash dhe 100 trupa në vend.

07:46- Lufta në Ukrainë, Australia dhe Japonia vendosin më shumë sanksione ndaj Moskës

Në kuadër të sulmeve të vazhdueshme që Rusia po bën ndaj Ukrainës, pritet që sanksione të reja të vendosen nga Australia dhe Japonia ndaj Moskës.

Mediat e huaja bëjnë me dije se Canberra shtoi miliarderët rusë Oleg Deripaska dhe Viktor Vekselberg, si dhe 11 banka dhe entitete qeveritare në listën e saj të sanksioneve.

“Me përfshirjen tonë të fundit të Bankës Qendrore të Rusisë, Australia tani ka vënë në shënjestër të gjitha entitetet e qeverisë ruse përgjegjëse për emetimin dhe menaxhimin e borxhit sovran të Rusisë,” tha në një deklaratë ministrja e Jashtme Marise Payne.

07:41- Sulmet ruse, në Sumi mund të hapen korridoret humanitare

Pritet që të këtë të premte të hapen korridoret humanitare për largimin e civilëve në rajonin e Sumit.

Kryetari i Sumit, në verilindje të Ukrainës, ka bërë me dije se pritet që autobusët të dërgohen në këtë qytet për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve që të largohen nëpër gjashtë rrugë të ndryshme.

Sumi, qytet afër kufirit me Rusinë, është përballur në javët e fundit me bombardime të ashpra, dhe mungesë të ujit e rrymës.

07:40 – Ministria e Mbrojtjes britanike: Trupat ruse përballen me sfida si mungesa e ushqimit

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë këtë të enjtje në një deklaratë të fundit është shprehur se ushtria ruse vazhdon të përballet me probleme logjistike gjatë pushtimit të saj në Ukrainë.

Mediat e huaja bëjnë me dije se në përditësimet e fundit inteligjenca britanike bën me dije se forcat ruse po pengoheshin të rifurnizonin  trupat e tyre me ushqim dhe karburant për shkak të mungesës së informacionit në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe sfidat në terren.

Forcat ruse kanë hezituar të manovrojnë në të gjithë vendin, tha ministria, por nuk dha detaje shtesë mbi njohuritë e saj për lëvizjet strategjike të Rusisë.

07:33-Aktorja e njohur ukrainase vritet nga sulmet ruse

Aktorja ukrainase Oksana Shvets ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, pasi banesa ku ndodhej në Kiev u godit nga raketat ruse, raporton Fox News. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Teatri i të Rinjve, ku ajo ishte pjesë e trupës. Kolegët shprehën ngushëllimet për vdekjen e saj.

“Gjatë bombardimeve me raketa të një ndërtese banimi në Kiev, u vra një artiste e merituar e Ukrainës, Oksana Shvets,” thuhej në deklaratën e Teatrit të të Rinjve. “Kujtim i ndritur për aktoren e talentuar! Nuk ka falje për armikun që ka ardhur në tokën tonë!”

07:25 –Dita e 23 e luftimeve, shpërthime të shumta u dëgjuan nga aeroporti i Lviv

Në ditën e 23 të sulmit rus ndaj Ukrainës, shpërthime të shumta janë dëgjuar mëngjesin e kësaj të premteje nga drejtimi i aeroportit ndërkombëtar Danylo Halytskyi në perëndim të Lviv.

Mediat e huaja bëjnë me dije se një numër i madh videosh janë postuar në rrjetet sociale që tregojnë tymin që ngrihet nga i njëjti vend.

Ndërkaq përmes një postimi në Telegram, kryetari i Lviv ka theksuar se nuk është goditur aeroporti por një ndërtesë ngjitur me të./abcnews.al