Gjatë fjalimit me përfaqësuesit e biznesit në Durrës, kryeministri Edi Rama komentoi sërish rritjen e çmimit të naftës dhe protestën e qytetarëve, të cilët kërkojnë ulje të çmimit të karburanteve dhe produkteve ushqimore.
Rama thotë se nëse qeveria to të ulte çmimin e naftës atëherë detyrimisht qeveria do të rrisë çmimin e energjisë.
“Deri dje e kishim naftën më të lartë, sot ka ndryshuar gjëja, jo se e vendosi qeveria. Problemi kryesor sot që kanë kompanitë është a do kemi mundësi të mbajmë normal furnizimin. Ne i kemi vënë mburojë financiare çdo familje dhe ia kemi ndaluar erën furtunën e rritjes se çmimeve të energjisë që ti preki.
Por kjo nuk do të thotë që furtuna nuk ekziston. Janë para që i vëmë në dispozicion nga arka e shtetit. Nëse do ulnim taksën e naftës siç thonë me çfarë do t’i financonim këto nevoja?
Nuk rrisim dot çmimin e energjisë për të ulur çmimin e naftës për ata që kanë vetura. Nëse ia ulim naftën dhe detyrimisht rrisim energjinë goditja është marramendëse. Për këtë arsye do mbajmë mburojën e energjisë”, tha Rama.
“Këtë situatë e solli një luftë që as e nisëm ne e as e ndalojmë ne” u shpreh kryeministri i vendit.
Rama thotë se të gjithë e dinë që rritjen e çmimit e ka sjellë lufta, duke nënkuptuar protestuesit, protestën e të cilëve e cilësoi sërish turp të madh.
“Nga ana tjetër të themi që s’ka lidhje fare me luftën është e pamundur të mendojmë kështu. Këtë e ka sjellë lufta, duhet të jesh krejtësisht i papërgjegjshëm që ta mohosh. Ata që bënë përpjekje e turpshme për të instrumentaliziuar alarmin e dinë që këtë e ka sjellë lufta. Kjo e bën turpin e tyre më të madh. Në këtë luftë jemi në krahun e atyre që janë të kërcënuar të pastrohen nga territori tyre.
Një pjesë tjetër për shkak të atyre që e dinë dhe bëjnë sikur nuk e dinë” tha Rama.
Ndër të tjera ai u bëri thirrje qytetarëve që mos t’i flasë inati kur shohin çmimet e larta, pasi kjo është pasojë e luftës.
“Ata që bien viktimë e tyre që protestojnë i them të mos i flasë inati, emocioni sa do i kuptueshëm të jetë kur dalin nga dyqani”, tha Rama.
Më tej Rama thotë se duhet të jemi të përgatitur për skenarin më keq, si pasojë e luftës Rusi Ukrainë.
“Lufta vjen për të sjellë vetëm dhimbje. Duhet të jemi të përgatitur edhe për skenarin që gjërat mund të shkojmë me keq. Duhet ta bëjmë këtë me shpresën që gjërat do të shkojmë më mirë. Por nuk varet nga ne”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë paradites së kësaj të mërkure ka prezantuar pikat e Paketës së Rezistencës Sociale me përfaqësuesit e biznesit të vogël në Durrës, duke theksuar sërish faktin se biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë, prandaj dhe i ka taksat zero.
“Bizneset e vogla janë aleati ynë më i rëndësishëm që për të cilët jo rastësisht si asnjë vend tjetër në rajon ka taksa zero dhe paguan zero TVSH. Rrugës kur po vija po shikoja disa grafikë nga burime serioze ndërkombëtare të cilave iu referohet e gjitha bota për rritjen e çmimeve, qoftë të naftës, qoftë edhe të ushqimeve. Janë kaq kuptimplota për njëtrajtshmërinë e rritjes së çmimeve dhe për përputhjen e kësaj rritje të çmendur, saktësisht me çmendurinë e luftës”, u shpreh Rama./abcnews.al/