Interi tashmë e shikon vetëm -4 pikë larg Milan, pas barazimit që mori ndaj Torinos, por kujtojmë se Nerazzurrët kanë rikuperimin e ndeshjes me Bolongën.
Edhe nëse zikaltërtit fitojnë këtë përballje, përsëri do të renditen pas “kushërinjëve” të tyre, dhe tashmë titulli nuk është më në duar e skuadrës së Simone Inzaghi.
Barazimi në Torino, i katërti radhazi në po kaq ndeshje jashtë “San Siros”, i arritur në ekstrem nga Sanchez, tregon se te Interi ka një “krizë”.
Me një ndeshje më pak, Nerazzurrët janë -4 nga Milani , -1 nga Napoli dhe +3 nga Juve, kundërshtari në ndeshjen direkte në stadium pas Fiorentinës dhe ndalesa për Kombëtaren. Gjithçka është ende e hapur për garën për titull, por tani perspektiva është ndryshe.
13 pikë në 9 ndeshjet e kthimit kundër 22 të fituara nga Juve dhe 21 nga Milani dhe Napoli, 6 pikë në gjashtë ndeshjet e fundit të ligës, me vetëm një fitore, atë bombastike ndaj Salernitana, e ndjekur nga fitorja në Anfield ndaj Liverpool-it, e cila nuk vleu për kualifikimin në çerekfinale të Champions League. Shifrat e Interit aktual flasin vetë, ajo makinë perfekte që Simone Inzaghi e ngiste pa probleme, tashmë ka humbur drejtimin.
Interi nuk bën dot pa Brozovic dhe tentativat për ta zëvendësuar përfundojnë me dështim, Barela i nervozuar dhe lojtarë të tjerë pa ide, zikaltërtit kanë një “ngërç”.
“Kemi ngadalësuar ritmin, konkurrenca po ecën shpejt dhe e dimë se duhet të bëjmë më shumë. Nëse duam të fitojmë Scudetton, na duhet një qëndrim tjetër”, do të shprehej trajneri i Nerazzurrëve, i cili e pranon se diçka nuk po shkon siç duhet me skuadrën e tij. /f.a/abcnews.al