Abissnet Superiore do të zbresë në fushën e lojës në fundjavë për të luajtur edhe ndeshjet e javës së 25-të. Të shtunën dhe të dielën janë programuar duele interesante dhe të luftuara të cilat priten me shumë interes.
Mbyllja e “Air Albania” për shkak të punimeve që do të bëhen për të pritur edhe finalen e madhe europiane të Conference League më 25 maj, me “Kukës Arena” dhe “Niko Dovana” që nuk janë akoma gati, ka shkaktuar kaos për stadiumet ku do të luhen ndeshjet.
Të shtunën janë programuar dy sfida, në “Loro Boriçi”, Vllaznia e Thomas Brdaric do të presë Tiranën kryesuese për të zhvilluar mes tyre dhe klasiken e Shqipërisë, takim që do të luhet në orën 16:45.
Po në të njëjtën orë do të luhet edhe sfida tjetër mes Partizanit dhe Egnatias, duel që do zhvillohet në “Elbasan Arena”, me skuadrat që do të kërkojnë fitoren për të arritur objektivat e tyre që kanë në këtë sezon.
E diela do të përfaqësohet me 3 sfida, ku në orën 13:45 do të luhen dy takime. Laçi do të presë në shtëpinë e tij Skënërbeun me synimin e vetëm për tu rikthyer te fitorja që iu mungon prej 3 javësh, ndërsa korçarët do të kërkojnë 3 pikët e para me Skënder Gegën në krye të tyre.
Sfida tjetër është ajo mes Dinamo-Kukësi, një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Kamzës. Blutë e Bledar Devollit do të kërkojnë vazhdimësinë, ndërsa verilindorët kërkojnë të bëjnë autokritikën për rezultatet negative të marra javët e fundit, me fitoren që mungon prej 4 javësh.
Java mbyllet në Shkodër, ku Teuta do të presë skuadrën e Kastriotit, ora 16:45. Një betejë për tre pikët edhe në këtë duel, me krutanët që i duan për mbijetesën, kurse durrsakët për qetësinë.
Ndeshjet e javës 25-të të Abissnet Superiore:
E shtunë:
16:45 / Vllaznia-Tirana / Stadiumi “Loro Boriçi”
16:45 / Partizani-Egnatia / Stadiumi “Elbasan Arena”
E diel:
13:45 / Laçi-Skënderbeu / Stadiumi “Laçi”
13:45 / Dinamo-Kukësi / Stadiumi “Kamza”
16:45 / Teuta-Kastrioti / Stadiumi “Loro Boriçi”
/f.a/abcnews.al