Partizani do të arrijë të shpallet kampion, pas 26 vitesh. Ky është mendimi i ish-sulmuesit Edmond Dosti, që ia doli për herë të fundit me të kuqtë, në 1993.
Tifozët gjithnjë shprehen të bindur, por sa i sigurt mund të jetë titulli? Një mendim autoritar mund ta japin ata që luajtën dikur për Partizanin, dhe sidomos ata që dolën kampionë me fanelën e kuqe. Në ekipin që fitoi titullin për herë të fundit, në 1993, ishte edhe sulmuesi Edmond Dosti, shënuesi më i mirë i asaj kohe.
“Partizani dihet që është pak më para me pikë, por në fakt në futboll e dimë të gjithë që vetëm rezultatet janë ato që duhen. Partizani këtë vit e ka arritur dhe besoj dhe shpresoj që mbas 26 vjetësh do dalim kampion”, tha Dosti.
Dosti jeton prej shumë vitesh jashtë vendit dhe pati emocione të forta që e ndoqi ndeshjen në “Selman Stërmasi”.
“Derbi është i bukur gjithmonë dhe pas 26 vjetësh ishte një kënaqësi të shihja derbin live. Rezultati ishte i drejtë”, tha Dosti.
Besimi është i madh edhe tek tifozët dhe tek vetë skuadra edhe pse 26 vite pa titull do të thotë një presion shumë i madh për futbollistët e sotëm të Partizanit./abcnews.al