Dhurata Çupi në një deklaratë të bërë nga selia blu e ka konsideruar reformën territoriale një nga prioritetet madhore të Partisë Demokratike. Ajo tha se vendimi i parlamentit për të nisur punën për këtë reformë është hapi i parë i rëndësishëm përpara.
Çupi u shpreh se është ngritur grupi i punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendi. Ajo theksoi se qëllimi i Ramës nuk ishte vetëqeverisja vendore por krijimi i zonave elektorale sipas interesit vetjak të tij.
‘Reforma territoriale është një nga prioritet madhore të PD. Për ta çuar shërbimin pranë qytetarit, për ti dhënë atij mundësinë të zgjedhë përfaqësuesin e vet. Prandaj vendimi i parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale, është një hap i parë shumë i rëndësishëm përpara. Ndaj ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit.
Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi reforma administrative e Edi Ramës në 2014-ën. Qëllimi i vërtetë i Edi Rames nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit.
Shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23 %, dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar. Në pjesën më të madhe ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjetik etj.
Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë për të shkuar në zyrat e bashkisë. Territori i ndarjes së re të një pjese të madhe të bashkive është në zona të thella malore, ku në pjesën më të madhe të vitit qarkullimi është i kufizuar dhe shpesh i pamundur.
Në të tjera zona ku ka më shumë mundësi për investime, duhet të presin me ditë të tëra për një dokument në bashki duke shpenzuar kohë dhe para në udhëtimet nga zona e tyre në drejtim të qendrës së qyteteve ku ndodhet njësia administrative.
Thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertet që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm, të na bashkohen, janë të mirëpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një reformë administrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë”, deklaroi ajo. /abcnews.al