Sa reale është fuqia e ushtrisë ruse?

schedule23:19 - 10 Shkurt, 2022

schedule 23:19 - 10 Shkurt, 2022

Nga Giselle Donnelly “The Dispatch

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ndërsa tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit mbi Ukrainën po i afrohen “pikës së vlimit”, dalin në pah dy pyetje:Çfarë ka në kokë Vladimir Putin? Dhe çfarë është në gjendje të bëjë ushtria ruse? Përgjigjet për të dyja janë të pasigurta.

Por të menduarit për të dytën, duhet të jetë një parakusht për t’i dhënë përgjigje të parës. Mjerisht, shumica e spekulimeve mediatike kohët e fundit, janë shoqëruar me shumë mendime  irracionale.

Në veçanti, ka pasur një mori “hartash të pushtimit”, që kanë qenë shumë spekulative, me shigjeta të shumta të kuqe që rrethojnë Kievin, si të ishte sërish viti 1943,dhe sikur Marshalli Georgy Zhukov të jetë ngritur sërish nga varri për të udhëhequr betejën kundër Perëndimit.

Po ashtu ka pasur shumë artikuj që kanë folur mbi modernizimin dhe reformat ushtarake ruse që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke e vënë theksin tek sukseset e Rusisë në Siri dhe gjetkë, përfshirë sulmin mbi Ukrainën Lindore në vitin 2014.

“Nën udhëheqjen e Putin, ushtria ruse është shndërruar në një ushtri moderne e të sofistikuar, që është në gjendje të pozicionohet shumë shpejt dhe me pasoja vdekjeprurëse në konfliktet konvencionale. … Ajo zotëron armatime me një saktësi të madhe, një strukturë komanduese të riorganizuar rishtazi, dhe ushtarë të mirë-ushqyer dhe profesionistë”- shkroi së fundmi gazeta “Neë York Times”

Kjo është e vërtetë, por nuk është e gjithë historia. Së pari, nëse baza e krahasimit është ngjitja e Putinit në pushtet në vitet 1999-2000, atëherë ajo është shumë e ulët. Rënia e Bashkimit Sovjetik, e shkatërroi pjesën e mbetur ruse të Ushtrisë së Kuqe.

Vlerësimet e SHBA-së për shpenzimet ushtarake të sovjetikëve, edhe pse shpeshherë të gabuara, varionin në 200-300 miliardë dollarë në vit, ose 5-6 herë më i lartë se sa niveli aktual i buxhetit zyrtar të mbrojtjes që ka Rusia.

Ajo humbi më shumë se gjysmën e avionëve të saj ushtarakë të vijës së parë, dhe më shumë se gjysmën e personelit. Infrastruktura që mbeti ishte e dobët, dhe trajtimi i rekrutëve ishte mizor, i karakterizuar nga abuzimet e njohura si ‘dedovshchina’.

Sigurisht, Moska ruajti një arsenal të madh të armëve bërthamore, por edhe ai ishte gjithashtu më i vogël, dhe kishte nevojë për modernizim. Modernizimi i armëve të tij bërthamore, ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i investimeve ushtarake të Vladimir Putin.

Gjenerata e fundit e raketave balistike ndërkontinentale sojvetike, të cilat dominuan gjatë strategjive të epokës Reagan, janë në fundin e ciklit të tyre. Rusët vazhdojnë të jenë

të fiksuar pas armëve bërthamore me rreze të shkurtër, siç janë raketat SS-26 “Iskander”, të vendosura në enklavën e Kalinigradit.

Po ashtu ata po kryejnë përmirësime cilësore mbi forcat e tyre bërthamore, sidomos ndaj  sistemin hipersonik “Avangard”. Dhe ajo që është më shqetësuese nga të gjitha:ashtu si paraardhësit e tij sovjetikë, Putin është i prirur të flasë lirshëm dhe shpesh për përdorimin e këtyre armëve, si të ishin thjesht pjesë të fuqishme së artilerisë.

Por ndërsa disa elementë të forcave konvencionale të Rusisë janë vërtetë “moderne dhe vdekjeprurës”, nuk është aspak e qartë se sa larg dhe gjerë ka shkuar modernizimi i forcave ruse për qëllime të përgjithshme dhe reforma organizative. Një përmbledhje e performancës së pas Luftës së Ftohtë, nxjerr në pah një rekord të përzier.

Kështu 2 luftërat çeçene të viteve 1990, dhe në veçanti rrethimet e Groznit – i përshkruar

në vitin 2003 nga OKB si “qyteti më i shkatërruar në Tokë” – treguan se sa shumë ishte përkeqësuar kompetenca taktike dhe operacionale ruse.

Fushata e parë, e nisur natën e Vitit të Ri në vitin 1994, përfshiu një sulm nga të katërta

anët ndaj qytetit. Por ai u bë menjëherë një shembull i bujshëm i sfidave që ndesh lufta e mekanizuar në një mjedis urban. Njëri nga batalionet ruse humbi 105 nga 120 tanket dhe mjetet luftarake të këmbësorisë.

Duke u tërhequr nga qyteti, rusët ndërmorën një bombardim të zgjatur që e rrafshoi Gronznin. Ai dështim rrëzoi edhe qeverinë e Boris Jelcinit, dhe bashkë me të edhe shpresat për reforma demokratike në Rusi, duke çuar në ngjitjen në pushtet të Vladimir Putinit.

Lufta e Dytë Çeçene në fundin e vitit 1999, solli përmbysjen e taktikave ruse. Pasi e rrethuan Groznin, rusët kryen sulme masive me artileri dhe avionë bombardues për javë të tëra, duke e dobësuar rezistencën. Gjithsesi, çeçenët luftuan deri në janarin e vitit 2000.

Jelcini i sëmurë dha dorëheqjen në dhjetor 1999, duke e lënë Putinin si president në detyrë

të Federatës Ruse. Nëse fitorja në atë luftë siguroi ngjitjen e Putin në pushtet, ajo ofroi gjithashtu një paralajmërim mbi neverinë në rritje të rusëve ndaj viktimave të luftës,

një vazhdimësi e zhgënjimit të sovjetikëve nga Lufta e Afganistanit në vitet 1980.

Pra gatishmëria e famshme e rusëve për të vuajtur, që ishte ndoshta aseti më i madh i Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore, është shndërruar në një barrë të rëndë. Kjo sjellje shpjegon edhe luftë e “zonës gri”, pra përdorimin e taktikave jo-konvencionale, nga sulmet kibernetike tek agjentët lokalë dhe operacionet e ndikimit.

Putin mund të jetë një lojtar dinak, por ai ka disa letra të dobëta. Ai i ka luajtur në mënyrë të rrezikshme me to në Gjeorgji në vitin 2008, në Krime dhe Donbas në vitin 2014, në Siri që nga viti 2015, në Nagorno-Karabakh në vitin 2020, dhe së fundmi në Bjellorusi dhe Kazakistan.

Të gjitha këto konflikte janë të kufizuara, por asnjëri prej tyre nuk është zgjidhur në mënyrë vendimtare, dhe as nuk lejon zhvendosjen e lehtë të forcave dhe burimeve. Dhe asnjëri prej tyre nuk është në të njëjtën shkallë si pushtimi i plotë i Ukrainës, me të cilin po kërcënon tani kreu i Kremlinit.

Përkundër të gjitha provokimeve, Putin është shfaqur si një njeri i pasigurt për forcën e tij. Ai ka qenë më shumë i shqetësuar për ruajtjen e një “kërcënimi” të mundshëm, sesa për t’u treguar rivalëve perëndimorë një aftësi të padyshimtë për të “tronditur dhe frikësuar”.

Duke sulmuar Krimenë dhe Donbasin, Putini zgjodhi “frutin” që kishte më pranë duarve.

Pra aty ku ishin më të forta simpatitë lokale ndaj dhe lidhjet me “Nënën Rusi”. Ajo që është të bën përshtypje, duke pasur parasysh mungesën e madhe të përgatitjes ushtarake të Ukrainës, dhe përplasjet e brendshme, ishte fakti se “strategjia separatiste” e Moskës dështoi.

Separatistët kërkuan hapur ndërhyrjen e Rusisë, por kundërofensivat ukrainase i kanë mposhtur deri më sot. Dhe ishte Putin, ai që kërkoi një armëpushim përmes Marrëveshjeve të Minskut. Që atëherë, ushtria ukrainase nuk është sprapsur në asnjë zonë të frontit.

Ndërkohë, ukrainasit kanë ndërmarrë reforma ushtarake serioze për t’u modernizuar. Ato janë ndërmarrë në kuadrin e një lufte për t’u bërë një demokraci e vërtetë dhe liberale, përballë korrupsionit të brendshëm dhe ndërhyrjes së vazhdueshme ruse.

Në fakt, me veprimet e tij në vitin 2014, Putini i ka bërë ukrainasit më nacionalistë, më të pavarur dhe më ideologjikë. Edhe nëse ushtria ukrainase nuk ka ia dalë të bëhet po aq moderne apo vdekjeprurëse sa kundërshtarët e saj rusë, ajo është bërë gjithsesi një forcë shumë më profesioniste dhe më kompetente në aspektin taktik.

Për shembull, njësitë më të mira të ushtrisë, janë shumë të afta në përdorimin e terrenit për mbulim dhe fshehje, duke e impresionuar vazhdimisht SHBA-në dhe partnerët e tjerë perëndimorë gjatë stërvitjeve të përbashkëta.

Për më tepër, terreni ukrainas është më kompleks dhe më i mbrojtur se sa e parashikojnë hartat aktuale me shigjeta të kuqe. Kënetat e Pripiatit që përshkojnë kufirin Bjellorusi-Ukrainë, janë një ndër më të mëdhatë në Evropë. Ato kanë shumë pyje të dendura.

Fuqia detare e Moskës në Detin e Zi e tejkalon shumë atë të Kievit. Por koncepti i një udhëtimi me makinë përtej Mariupolit – një qytet me 500.000 banorë – përtej gadishullit të Krimesë dhe kalimit të deltës së Dnjeprit, do ta tejkalonte kapacitetin logjistik të rusëve.

Ndërkohë, një element i panjohur i të menduarit të Putinit, nuk mund të dihet ende:cili është afati kohor i tij për rivendosjen e ndikimit të Rusisë si një fuqi e madhe? Diktatorët në moshë të mesme janë një bandë e çuditshme.

Putini do të jetë 70 vjeç këtë tetor, pra gati 20 vite më i madh se Adolf Hitleri kur i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara në dhjetorin e vitit 1941. Hitleri pa dikur një shans sado të vogël për të rrëzuar lidershipin “anglo-sakson”të botës,.

Edhe Putini, me gjithë regjimin e tij të fanatik sa i përket ruajtjes së shëndetit, mund të ketë një ndjenjë të kohës së tij të kufizuar, si dhe fuqisë së tij të vërtetë ushtarake. A e ka ai me nxitim, apo është ende një llogaritësi i kujdesshëm i situatave, siç ka qenë edh në të kaluarën? /Abcnews.al

Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!