Përfundon protesta e opozitës

schedule19:55 - 26 Shkurt, 2019

schedule 19:55 - 26 Shkurt, 2019

Protestuesit e opozitës u shpërndanë pas mbylljes së seancës plenare, ku edhe u votuan disa projektligje nga ana e mazhorancës. Në protestën e cila zgjati rreth 3 orë një grup protestuesish u përplasën me policinë në hyrje të parlamentit. Uniformat blu reaguan duke hedhur gaz lotsjellës, çka solli edhe shpërndarjen e turmës për disa minuta.

Protestën e paralajmëruar për të enjten, opozita e bashkuar e zhvilloi këtë pasdite, para parlamentit. Të organizuar nga Partia Demokratike menjëherë pasi Kuvendi vendosi të zhvendosë mbajtjen e seancës plenare për orën 17:00 të ditës së sotme, qindra protestues u mbledhën para godinës së parlamentit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Paralelisht me zhvillimin e seancës, protestuesit bënë thirrje kundër qeverisë, duke hedhur shashka e flakadanë në drejtim të kordonit policor. Ndërsa në oborrin e parlamentit u dogj dhe një gomë si dhe një një fotografi e Ramës që ngjan me presidentin venezuelian Maduro.

Një kordon policie i përbërë nga dhjetëra efektivë bllokoi hyrjen kryesore të parlamentit, ndërsa ABC News mësoi se në total, u angazhuan rreth 1 mijë Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, të RENEA-s, Shqiponjave dhe nga Garda e Republikës.

Fjalën hapëse të protestës e ka mbajtur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili i ka kërkuar policisë arrestimin e hajdutëve të këtij vendi. Më pas, fjalimet kanë vijuar me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi dhe kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!