Pas fjalimit të mbajtur përpara parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike i ka bërë thirrje protestuesve që ta ndjekin. Së bashku me deputetët e opozitës dhe me mbështetesit ai i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit, ku dorëzoi listën me emrat e deputetëve opozitarë që dorëzojnë mandatet parlamentare.
Ende pa mbërritur protestuesit, kryeministri Edi Rama ka lënë zyrën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi me të cilin zhvilloi një takim prej orës 10 të mëngjesit deri në përfundim të protestës.
Edhe tek Kryesia e Kuvendit, sikundër edhe para kryeministrisë, policia kishte marrë masa të shumta, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme. Kreu demokrat ka hyrë në Kryesinë e Kuvendit për të dorëzuar dosjen me deklaratat personale të deputetëve dhe kanditatëve në listën prej 140 personash të partive.
“Gjithçka mbaroi”, ka thënë shefi i opozitës pas dorëzimit të dosjes.
Kryedemokrati doli dhe iu bashkua qytetarëve që protestonin përpara parlamentit në orën 10:37. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe deputetë të opozitës.
Pas mbërritjes përpara parlamentit, ishte deputeti Ervin Salianji, i pari që deklaroi dorëzimin e mandatit. Më pas fjalën e mori Gent Strazimir, i cili tha se “Si sot 28 vjet më parë Gramoz Ruçi bëri veprimin e parë me telat e gjembave të diktaturës. Sot pas 28 vitesh Gramoz Ruçi rrethon me tela me gjemba Parlamentin sepse ka frikë nga populli”.
Fjalë mbajtën edhe deputetët e tjerë si Xhemal Gjunkshi, Silva Caka, Grida Duma, Luan Rama, Jorida Tabaku, Klevis Balliu, Agron Shehaj, Dashamir Shehi dhe Flamur Noka.
Gjithashtu para qytetarëve protestues foli edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo theksoi se mandatet e opozitës nuk janë më mandate të narkoshtetit dhe se misioni i opozitës është i qartë, të ndajmë politikën nga krimi.
“Zoti ruajtë shqiptarët kudo ku janë. Të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë motrave të tyre, prindërve të tyre, vëllezërve të tyre. Ata policë paguajnë njësoj si ju faturën e ujit, paguajnë njësoj si ju librat për fëmijët e tyre. Njësoj si ju kanë hedhur letra dhe kanë paguar për legalizimet e shtëpisë së tyre. Mandatet tona sot nuk janë më mandate të narkoshtetit, nuk janë më fasadë e narkoshtetit, janë mandatet e shqiptarëve. Ne japim fjalën sot që nuk ka më kthim pas sepse do të na mallkojnë brezat pas që do të vijnë. Misioni është i qartë, të largojmë krimin, të ndajmë politikën nga krimi”, tha ajo.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, anuloi seancën plenare e planifikuar për t’u mbajtur si çdo të enjte. Perimetri i parlamentit ishte rrethuar nga një brez me tela me gjemba. Për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar rreth 1500 forca policie.
Të mërkurën, Garda udhëzoi edhe gazetarët e mediave që të pajisjen me maska për shkak të gazit lotësjellës që mund të hidhet në protestë nëse situata përshkallëzon. Pasditen e së mërkurës, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi përfundimisht djegien e mandateve të deputetëve.
Mëngjesin e kësaj të enjteje në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së bëri thirrje që protestuesit, qeveria dhe forcat e sigurisë të tregojnë vetëpërmbajtje./abcnews.al