Në seancën e sotme plenare, kryedemokrati Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij duke sjellë në vëmendje faktin që salla e Kuvendit është e boshatisur na ligjvënësit e mazhorancës. Basha pyeti ku ndodhet kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se para dy ditësh kreu i qeverisë ka bërë një udhëtim me charter privat në një vend që nuk dihet.
“Ku është kryeministri? Para dy ditësh shkoi e erdhi me charter privat diku, dhe nuk pati deçencën t’u thoshte shqiptarëve për çfarë po i harxhon partë për udhëtim me charter luksoz. Vetëm karburanti shkon 120 mijë euro minimumi. Kur vjen puna për t’u përballur me përfaqësuesit e shqiptarëve s’e dimë ku është…”
Kreu i demokratëve theksoi se ndërsa vetë kryeministri nuk ndodhet në sallë kur bëhen punime në parlament, qeveria e tij “shemb çatitë e qytetarëve në kundërshtim me ligjin”. Duke iu referuar banorëve të “ 5 Majit” në kryeqytet, Basha tha se ata ndodhen në një gjendje lufte, të “bombarduar nga armiku i padukshëm i korrupsionit shqiptar.”
“Mjaftojnë këto fakte për këtë kuptuar pse dy ditë më parë TI konfirmoi atë që e di çdo shqiptar, që qeveria e masakrës zgjedhore të 25 prillit, është më e korruptuara e Evropës, Ballkanit.”
Basha u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që ndodhen në sallë që të ballafaqohen më të vërtetën ose të përballen me turpin.
“Ata pak që ndodhen në sallë, kur do të ballafaqoheni me të vërtetëm? Kur do ta ngrini zërin, nëse jo, turpi është i juaji. Koha është që institucionet që janë ngritur me taksat e qytetarëve të bëjnë punën e tyre.” /abcnews.al/