Shtohet gjithnjë e më shumë numri i atyre që nuk dëshirojnë të festojnë më ditën e Kristofor Kolombit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa politikanë dhe shoqëria civile kërkojnë anulimin e festës, e cila daton në 12 Tetor.
Kohë të vështira për Kristofor Kolombin. Ky i fundit nuk pranohet më nga amerikanët duke rrezikuar që festa dedikuar eksploruesit xhenovez, në 12 Tetor, të anulohet. Kjo datë shënon ditën kur italian shkeli për herë të parë në botën e re. personazhi më i fundit që i është shtuar listës së atyre që duan ta anulojnë këtë festë është Kamala Harris, senatorja demokrate e konsideruar si trashëgimtarja e Barak Obamës, kandidate për në Shtëpinë e Bardhë.
Vitet e fundit po rritet gjithnjë e më shumë një lëvizje që kërkon zëvendësimin e Columbus Day me Indigenous Day, për të nderuar kulturën e indianëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1992, qyteti i parë që realizoi këtë ndryshim ishte Berkli në Kaliforni. Vendimi u imitua menjëherë nga 56 qendra dhe katër shtete.
Qëllimi është rivlerësimi i figurës së Cristoforo Colombit. Jo vetëm eksplorues kurajoz, por dhe një tiran i egër. Ai akuzohet për shumë tortura ndaj popullisës indigjene me të cilën u përball kur mbërriti në Amerikë. Kështu këtë vit dhe në qytetin që mban emrin e tij Kolumbus, kryeqytet i Ohajos, nuk është shpenzuar asnjë dollar për të nderuar eksploruesin, ndërsa në Filadelfia në murin e zyrës së një shoqate italo amerikane është shkruajtur nga disa vandal: “Colombo = Mussolini = Trump = Fascista”.
Por dhe politika amerikane ka thënë fjalën e saj për këtë çështje. Para mbështetjes për anulimin e festës nga Kamala Harris, ishte demokratja tjetër Aleksandria Okasio-Kortez që u shpreh me anë të një mesazhi në Twitter kundër festës. Por për Donald Trump, eksploruesi mbetet gjithnjë një hero. “Shpirti i këmbënguljes dhe aventurës i Cristoforo Colombo ka frymëzuar breza të tërë amerikanësh:”, shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë në një mesazh në Twitter./abcnews.al