Presidenti Ilir Meta ka bërë të ditur më herët gjatë ditës se sonte në darkë do të bëjë të ditur datën në të cilën do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale. Në një postim të bërë në mediat e tij zyrtare, kreu i shtetit ka postuar një foto në të cilën pozon me dy gishta ndërsa përmend datën 2 mars.
“Edhe 30 minuta, drejt ringut në “Opinion” me Fevziun, në prag të 2 Marsit,” shkruan Presidenti.
Presidenti përmend 2 marsin e vitit 2020 kur u bëri thirrje qytetarëve që të dilnin në protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kujtojmë se kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi njoftoi sot se i ka propozuar Presidentit Meta që të jetë data 6 mars dita kur mund të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashkitë e vendit. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Celibashi u shpreh se kjo datë është më e mundshmja edhe në aspektin ligjor.
“Komunikova sot me Presidentin e Republikës për datën e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki. Bisedova me Presidentin që mundësisht të konsiderojë datën 6 mars 2022 si datë të zhvillimit të zgjedhjeve. Si një nga datat e mundshme sipas ligjit kur mundet të zhvillohen zgjedhjet, data 6 i jep pak më shumë kohë KQZ në përgatitjen më të mirë të mundshme të këtij procesi zgjedhor”, shkruan Celibashi në Twitter.
Qendrimi i Celibashit u bë publik pas takimit me Presidentin Meta. Ky i fundit priti në Presidencë edhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, ndërsa ka munguar prania e demokratëve.
Meta ka nisur procedurat për dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashkitë që nuk kanë kryetar. Ai e njoftoi këtë nismë në një konferencë për shtyp javën e shkuar. /abcnews.al/