Nga Tom Tugendhat “Atlantic Council”
Ndërsa politikë-bërësit perëndimorë janë të fokusuar aktualisht tek rreziku i një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës, ata po mbyllin njërin sy ndaj një pushtimi tjetër:kapjes së elitave evropiane nga oligarkët rusë. Nga Londra në Athinë dhe shumë më gjerë se kaq, bankierë, avokatë, lobistë dhe ish-zyrtarë janë të kapur nga Kremlini dhe aleatët e tij.
Ndërsa tanket ruse po grumbullohen në kufirin ukrainas, interesat e lidhura me regjimin grabitqar të presidentit rus Vladimir Putin, po e rritin ndikimin e tyre në kryeqytetet anembanë kontinentit të vjetër.
Shembulli më i fundit i përpjekjeve të tilla të profilit të lartë për ndikim, përfshin ish-kryeministrin francez Francois Fillon, që në qershorin e vitit të shkuar u bë pjesë e bordit të kompanisë ruse shtetërore të naftës “Zarubezhneft” (me emërimin e posaçëm të Kremlinit).
Dhe Fillon nuk është i vetmi. Ish-Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, e cila u bë e famshme për vallëzimin e saj me Putinin ditën e dasmës së saj në vitin 2018, u emërua po në qershorin e vitit 2021 në bordin drejtues të “Rosneft”, kompanisë më të madhe shtetërore të naftës në Rusi.
Dhe ai bord drejtohet nga Gerhard Schroeder, ish-kancelari i Gjermansë që ka një rrogë prej 600 mijë dollarësh në vit. Por ai nuk është i vetmi ish-kancelar evropian me lidhje të ngushta me Rusinë. Edhe ish-kancelari austriak Christian Kern është pjesë e bordit mbikëqyrës të Hekurudhave Ruse.
Ndërsa asnjë nga këta individë nuk ka shkelur asnjë ligj në marrjen e këtyre posteve, rolet e tyre nxjerrin në pah një kërcënim sistematik për Evropën. Nga kriminalizimi i plotë i tyre sikurse është rasti i Luca Volontè, një ish-deputet italian dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u dënua janarin e vitit të kaluar me 4 vjet burg për marrje ryshfeti nga zyrtarët e Azerbajxhanit, deri tek pastrimi në shkallë të gjerë i parave ruse dhe të kleptokratëve të tjerë në Londër, duket se diçka ka shkuar shumë keq në mbrojtjen ekonomike të Evropës.
Këto nuk janë raste të izoluara, por produkte të një strategjie që kanë regjimet kleptokratike në Rusi dhe më gjerë, për të vënë në shërbimin e tyre elitat evropiane, bizneset dhe sektorë të tërë që kanë shumë lidhje.
Në vend se t’i shërbejnë vendeve të tyre, elitat evropiane po u shërbejnë tashmë interesave që ushqejnë forcat autoritare, të cilat synojnë të rrënojnë Perëndimin. Shkalla e këtij rrjeti kleptokratik është shumë e madhe.
Pak ditë përpara se udhëheqja e Kazakistanit të jepte urdhrin të qëlluar për vdekje protestuesit, think-tanku britanik “Chatham House”, identifikoi më shumë se 720 milionë dollarë prona të blera nga elita kazake në Mbretërinë e Bashkuar.
Ne në Evropë duhet ta pranojmë se erozioni i integritetit tonë ekonomik, po e dëmton shumë vendosmërinë, por edhe sigurinë tonë kombëtare. Ky pushtim i elitave tona nga kleptokratët, duhet parë për atë që është vërtet:si një kërcënim për interesat tona, dhe si një tradhti ndaj vlerave tona.
Putini dhe aleatët e tij po synojnë jo vetëm të paralizojnë dhe të ngatërrojnë vendimmarrjen tonë, por edhe të diskreditojnë politikën demokratike, duke i bërë praktikuesit e saj të duken po aq cinikë sa ata në Kremlin.
Në Britaninë e Madhe, Komisioni i Përzgjedhur Parlamentar i Punëve të Jashtme, të cilin e drejtoj unë, do të nisë së shpejti një hetim të ri mbi pastrimin e parave ruse dhe të kleptokratëve të tjerë, duke u mbështetur në punën tonë të vitit 2018.
Por gjykoj se duhet të zhvillohet një debat më i gjerë:aleatët perëndimorë duhet të hartojnë dhe miratojnë një grup të përbashkët standardesh etike për ish-politikanët për të ndaluar këtë “Shrëderizim”, duke i kufizuar ata në punën me kompanitë shtetërore të shteteve armiqësore autoritare dhe kompanitë e lidhura me to.
Në mbarë Evropën, ne, elitat perëndimore, duhet të distancohemi nga kleptokratët. Përveç sjelljes individuale, qeveritë evropiane duhet të hetojnë edhe strukturat. Herë pas here, dobësia e përpjekjeve tona kundër pastrimit të parave, është dokumentuar si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Si për shembull në rastin e skandalit të “Danske Bank”, që zbuloi se anëtarët e familjes së Putin dhe Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), si dhe të elitës të Azerbajxhanit, kishin përdorur kompani britanike për të depozituar para në degën estoneze të bankës daneze.
E çfarë mesazhi më të mirë mund t’u dërgojmë këtyre autoritarëve, sesa ringjallja e propozimeve për një Nismë Globale kundër Kleptokracisë, për të qenë më të ashpër në luftën kundër financimit të paligjshëm? Gjatë Samitit të saj për Demokracinë në dhjetorin e vitit të kaluar, administrata e Joe Biden filloi procesin pozitiv të kërkimit të bashkimit të aleatëve për çështjet e mbrojtjes së demokracisë dhe anti-korrupsionit.
Demokracitë evropiane duhet të tregojnë se e marrin këtë proces po aq seriozisht sa edhe qeveria amerikane. Në rast se ne nuk e mbrojmë me forcë demokracinë brenda vendit tonë, aftësia jonë për ta mbrojtur atë jashtë vendit vetëm sa do të dobësohet, dhe ky dështim do të kishte pasoja që nuk mund t’i përballojë asnjë nga ne në botën e lirë.
*Shënim:Tom Tugendhat, është kryetar i Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme në parlamentin e Britanisë së Madhe.