Një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Tiranë ku ishte i pranishëm në një vizitë zyrtare, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të presë në Turqi, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, shkruan dailysabah.
Vizita e Vuçiç në Turqi vjen pas një ftese zyrtare nga ana e Erdogan. Në kuadër të vizitës, në Ankara do të mbahet takimi i tretë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Serbi. Në mbledhjen e këshillit që do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave përkatës, do të shqyrtohen në të gjitha aspektet marrëdhëniet Turqi-Serbi dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh. Gjithashtu do të shkëmbehen mendime për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, në radhë të parë në Ballkan, mbi bazën e të kuptuarit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit. Marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Serbisë kanë arritur nivelin më të mirë në histori, tha ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu gjatë vizitës së tij në vendin ballkanik në gusht.
7 vite pas vizitës së parë në 2015, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u rikthye në Shqipëri mëngjesin e 17 Janarit. Ishte Laçi ndalesa e parë e Presidentit turk. Përmes një ceremonie u dorëzuan mbi 500 banesa familjeve të prekura nga tërmeti, investim i shtetit turk që kapi shifrën e 42 milionë euro. Pas kthimit nga inaugurimi i banesave në Laç, presidenti turk zhvilloi një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë në kryeministri. Ky takim u pasua nga një konferencë për mediat, të cilën Edi Rama e nisi me një thënie të profetit Muhamed. Mes Shqipërisë dhe Turqisë u nënshkruan 7 marrëveshje bashkëpunimi, në fusha të ndryshme. Erdogan dhe Rama inaguruan edhe xhaminë e Etem Beut. Po ashtu, kreu i shtetit turk theksoi se shumë shpejt do të përfundojë dhe ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë. be.k/abcnews.al