Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj thotë se kërcënimi i deputetes Elisa Spiropali, ishte i pari i natyrës politike ndaj tij, teksa ka dy vite në detyrë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Binaj u shpreh se përballja e tij publike, nuk ka të bëjë me deputeten Spiropali dhe nënvizoi se administrata tatimore kryen detyrën e saj, lidhur me biznese të ndryshme.
“Patjetër që administrata tatimore përballet tërë kohës me tatimpagues, edhe në kuptimin ligjor të gjësë. Unë besoj se ne kemi qenë të drejtë në zbatimin e ligjit, ndaj çdo tatimpaguesi, edhe në rastin e tatimpaguesve të lidhur me familjarët e familjes Spiropali. Përballja ime publike nuk ka të bëjë vetë me deputeten. Pra, e gjithë nevoja për të bërë deklaratën, apo edhe qënia ime në këtë studio është të sqarojmë publikun sesi ne e interpretojmë detyrën tonë. Nuk ka të bëjë në vetvete me deputeten Spiropali apo bashkëshortin e saj me bizneset që ata bëjnë në Shqipëri.
Në kuptimin politik, gjatë dy vjeçarit tim, ky ka qenë i pari. Ka pasur presione të natyrave të tjera, por politike jo. Mund të ketë qenë kriminale, mediatike, por jo në kuptimin politik. Kjo është e para. Unë besoj se puna për ndërtimin e institucioneve është punë e vazhdueshme. Përpjekja për institucione më të mira është përpjekje e vazhdueshme.”, theksoi ai./abcnews.al



