Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj deklaroi se bashkëshorti i deputetes socialiste, Elisa Spiropali, ka kryer evazion fiskal në shifra marramendëse.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Binaj u shpreh se biznesit të ndërtimit të bashkëshortit të Spiropalit, iu dërgua njoftim për kontroll.
Binaj nënvizoi se kontrolli nisi në prill të këtij viti dhe përfundoi në shator. Binaj nënvizoi se inspektorët janë kërcënuar me jetë gjatë kontrolleve.
“Nuk ka mënyrë që ne zgjedhim biznese specifike. Për sektorin e ndërtimit, u përzgjodhën 100 biznese. Bizneset janë kryesisht në ndërtim. Ishin biznese të lidhura vetëm me bashkëshortin. Evazioni i konstatuar në këto subjekte, ishte goxha i lartë. Shifrën nuk e them dot, ishin goxha të larta. Kontrolli filloi në muajin prill të këtij viti, këto marrin kohën e vet. Aktet e kontrollit kanë mbaruar në muajin shtator. Kontrolli ka pasur edhe vështirësi. Është ushtruar kontroll, i është dërguar njoftim subjektit. Subjekti është përgatitur për kontroll. Ka pasur vështirësi në komunikim, nuk ka qenë e thjeshtë marrëdhënia me tatimpaguesin.
Kërcënimet kanë qenë nga bashkëshorti i Spiropalit ndaj inspektorëve. Kanë qenë në disa qytete, në Shkodër, në Tiranë, por edhe në Fier. Kërcënimet kanë qenë verbale ndaj jetës së inspektorëve të përfshirë. Në korrik, një nga inspektorët ka bërë edhe një denoncim për kërcënim përmes mesazheve të shkruara nga bashkëshorti i Spiropalit. Nga zonja Spiropali nuk ka pasur kërcënime. Unë jam kërcënuar indirekt nga mesazhet përmes inspektorëve. Nëse ju do të ekzekutoni detyrat tuaja funksionale, kontrollin, unë do të merrem me ju gjithë jetën. Aksionet tona janë bazuar në strategji, nuk ndikohemi nga influenca të jashtme. Këto kanë qenë kontrolle standarde, pretendimet e bëra nga deputetja janë anormale. Sa herë që ne dalim për kontroll, gjithmonë ka pretendime. Ky është funksioni i administratës tatimore”, theksoi ai./abcnews.al



