Kreu i PD Lulzim Basha ka njoftuar ndërkombëtarët për zhvillimet e fundit në PD. Me të njëjtën “monedhë” do i përgjigjet Sali Berisha, i cili nga studioja e “Radarit Informativ” në Abc paralajmëroi se të njëjtën gjë është duke bërë edhe Komisioni i Rithemelimit, i cili siç theksoi ish-kryeministri po përgatit një raport mbi atë se çfarë ka ndodhur më 8 janar. Gjatë intervistës Berisha theksoi se sipas tij Basha do t’i bëjë për të qeshur ndërkombëtarët me këtë raportim për protestën dhe për përjashtimin e tij nga partia, vendim të cilin tha se nuk e njeh.
“Ne po përdorim të gjitha kontaktet. Do t’i bëjë me qesh Basha kur të lajmërojë përjashtimin tim dhe protestën, do t’i bëjë me qesh ndërkombëtarët. Pa diskutim edhe ne kemi informuar dhe do të informojmë. Shumë prej tyre lëshuan vlerësime objektive u bënë thirrje palëve të vetëpërmbahen dhe kjo ishte deklarata e BE, e ambasadorit italian e gjerman… etj Kur të shofin të gjithë këtë baterdi që u bë atë ditë, sepse do bëj dhe unë raportim. Do i lajmërojmë zyrtarisht, ne jemi një institucion, Komisioni i Rithemelimit komunikon me përfaqësues të vendeve mike dhe partive simotra”.
Mesazhet pro kreut të PD, Berisha i konsideroi si goditje ndaj pluralizmit në Shqipëri.
“Komunikimi ynë s’ka qëllim mbështetjen por informimin, sepse një protestë pavarësisht se këtu ndodhin çudira mbështetja që i jepet Bashës është goditje e hapur ndaj pluralizmit politik në Shqipëri dhe unë e them këtu s’është vetëm ndaj pluralizmit por ndaj të gjithë gjeneratës së re të politikanëve shqiptarë. Sepse Lulzim Brava doli në krye të opozitës dhe po e mbyll mbas 8 vitesh në mënyrën më të turpshme i rrethuar nga bandat dhe banditë në mes të Tiranës por që është akt kriminal për të cilin duhet të hetohet”, shtoi Berisha në Abc.
Basha i ka dërguar një raport të detajuar ambasadave të huaja në vendin tonë dhe Komisionit Europian për protestën e 8 Janarit. Në raportin 8 faqësh, PD përshkruan orë pas ore atë që ndodhi në selinë e blu gjatë protestës duke e shoqëruar edhe me foto të protestës në seli, militantë me vare e çekiçë në duar. Në raport Basha, përgjegjës për dhunën në protestë bën Berishën. Kujtojmë se të shoqëruar në polici për protestën ka pasur mbështetës të Berishës dhe të Bashës. Gjatë protestës selia e PD-së shkatërrua një pjesë të mirë të mjediseve të saj. Përgjigjia e kryesisë së PD ndaj asaj ngjarje ka qenë me “dorë të hekurt” .
Masa ndëshkuese janë marrë ndaj të 28 anëtarëve të Komisionit të Rithemelit të PD, strukturë e ngritur nga Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor nga zoti Berisha, për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja, por që nuk njihet nga kryetari Lulzim Basha dhe institucionet e kësaj partie. Përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti.
be.k/abcnews.al


