Një shqiptar është vënë në pranga nga policia greke pas 19 muajsh hetime për vrasjen e një belgu. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Neos Cosmos të Athinës në vitin 2017. Viktimë mbeti 56-vjeçari Luigi Vancheri.
Mesazhet e ruajtura në telefonin e tij zbuluan motivet dhe identitetin e ekzekutorëve. Sipas mediave greke një prej tyre është edhe një 32-vjeçar shqiptar, i cili u kap në kufi pranë Kakavijës në datën 1 Shkurt. Identiteti i tij nuk është bërë publik.
Ndërkohë në kërkim janë edhe dy bashkëpunëtorë të shqiptarit, të cilët njihen me emrat Tony dhe Vinny. Autoritetet greke i akuzojnë të tre personat për vrasjen e Vancherit për llogari të një karteli kolumbian. Besohet se viktima i kishte një shumë parash borxh kartelit.
Pasi siguruan mandatin që të shikonin mesazhet që belgu kishte dërguar në Whatsapp dhe Viber zbuluan që shqiptari kishte shkëmbyer dhjetëra biseda me Vancherin. Ishte ai që e dërgoi 56-vjeçarin në vendin ku ndodhi krimi.
Viktima: Ku është Tony?
Shqiptari: Po e pyes për adresën.
Viktima: E more adresën?
Shqiptari: Rruga “14 Fanosthenous”, Neos Cosmos.
Viktima: Po shkoj atje tani.
Shqiptari u identifikua lehtësisht nga policia pasi viktima belge i kishte ruajtur të gjitha detajet në celularin e tij. I riu ka pohuar se e ka dërguar Vancherit detaje për takimin, por mohoi që të jetë përfshirë në krim. Gjithashtu ai nuk dha detaje për dy bashkëpunëtorët e tij duke u justifikuar se nuk mban mend ndonjë detaj për ta.
Ngjarja ndodhi natën e 16 Qershorit 2017 në rrugën pedonale “Fanosthenous” të Neos Cosmos. Pas hetimeve në vendin e ngjarjes u gjet një plumb 22 milimetra. Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se 56-vjeçari ishte qëlluar nga mbrapa në një distancë shumë të shkurtër.
Vancheri kishte udhëtuar drejt Athinës më 10 Qershor të 2017-s dhe qëndronte në një hotel në qendër të kryeqytetit grek. Hetuesit zbuluan se ai akuzohej për trafik droge në Belgjikë, Spanjë dhe Zvicër. Mendohet se 56-vjeçari ishte drejtuesi i një grupi që merrej me trafik droge në Bashkimin Europian dhe Amerikën Latine.
Sipas mediave belge pak ditë para udhëtimit drejt kryeqytetit grek ai ishte shpallur fajtor në Liezh për lidhje me një rast të narkotikëve.
Luigi Vancheri mendohet se ishte në borxh me një kartel kolumbian me të cilën kishte bashkëpunuar. Grupi latino-amerikan e shantazhoi duke i marrë peng një nga anëtarët e bandës së tij. Të dyja grupet kishin vendosur që të sqaroheshin për shlyerjen e borxhit në Zaragoza të Spanjës. Ndërkohë, belgu ndodhej në Athinë për të diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm me një gup tjetër, rival të kartelit kolumbian. Në momentin kur u vra, ai kishte 1000 euro me vete./abcnews.al