Kryetari i PD-së, Lulzim Basha “çoi” sot çështjen e inceneratorëve në Kuvend. Nga foltorja ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për skemën, që e cilësoi kriminale dhe që sipas tij u zhvati shqiptarëve 400 mln euro. Lideri i opozitës nuk e kurseu sulmin sërish për “Trekëndëshin e Bermudës”, që i referohet Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Kur shikon rendin e ditës, thua lum si ne, por kur dëgjon se cfarë ndodh cdo ditë në këtë vend dhe shikon që 400 mln euro janë zhvatur nga goja e fëmijëve shqiptarë nga një grup me në krye parafolësin (Edi Rama) atëherë kupton sesa hipokrite është kjo.
Mbi Shqipëri prej vitesh ka zbritur një krizë shumë planëshe, e para ekonomike, e barkut bosh, e një në cdo dy familje shqiptare. Nëntë në cdo dhjetë të rinj duan të largohen. Prej masakrës zgjedhore të 25 Prillit përmasat e kësaj krize janë bërë më të mëdha.
Interesat e një kaste të vjetër dhe një tjetër trekëndëshi, të Bermudës, po bëjnë gjithçka, jo vetëm të mos frenojnë, por ta zbrazin Shqipërinë dhe ta heshtin nga cdo zë që u bën opozitë planeve të tyre për ta bërë Shqipërinë çifligun e tyre. Në Shqipërinë e tyre ka vend për tre inceneratorë për të djegur plehrat e Italisë, Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.
Në Shqipërinë e tyre ndahen qindra miliona euro për oligarkët ndërtohen tunele, porte dhe aeroporte. Blihen mediat, por nuk ka vend, as për shqiptarët e ndershëm dhe as për fëmijët e tyre” tha ai./ Abcnews.al

