Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria do të prezantojë së shpejti masa konkrete për të adresuar kërkesat për më shumë mbështetje sociale, mundësi strehimi dhe barazi sociale.
Gjatë një komunikimi me qytetarët, Rama u shpreh se qeveria është e gatshme të dëgjojë protestuesit dhe të dialogojë për problematikat e tyre.
Ai theksoi se protestat duhet të shërbejnë si një mundësi për të diskutuar shqetësimet, ndërsa dhuna dhe cenimi i lirive të qytetarëve nuk do të tolerohen. Kreu i qeverisë nënvizoi se po punohet si për të lehtësuar vështirësitë ekonomike të qytetarëve, ashtu edhe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë i njohur për qëndrimet e tij le të themi në anën tjetër të spektrit politik, por i nderuar për profesionalizmin e tij, të cilit u mundova t’i them që një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Njeriu proteston kur ka ndjesinë që nuk po e dëgjon kush për atë që ai sheh të nevojshëm.
Pra, një protestë bëhet për t’u ulur në tryezë. Një protestë nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo për të përmbysur shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por është një protestë e një segmenti qytetar, atëherë kuptimi i saj është të ulemi dhe të bisedojmë.
Dhe e pyeta, çfarë problematikash shikoni ju që ju bëjnë që të bëheni pjesë e këtij grupi relativisht shumë të vogël, krahasimisht me gjithë studentët dhe pedagogët që vjen këtu poshtë dritares time. Dhe arsyet që më tha ishin të gjitha arsye që lidheshin me gjëra specifike në spitalin universitar, krejt legjitime, dhe prandaj i thashë, po mirë ne ulemi i diskutojmë dhe i shohim se si mund t’i çojmë përpara.
Pra, çdo protestë për t’u dëgjuar bëhet problem kur qeveria, kur autoritetet, kur institucionet nuk duan të dëgjojnë. Ndërsa kur institucionet, qeveria, autoritetet thonë që ne jemi këtu, jemi gati t’ju dëgjojmë, jemi gati të dialogojmë, jemi gati të kuptohemi dhe të mirëkuptohemi, atëherë këmbëngulja në protestë është pa sens, nëse është ky qëllimi i saj.
Ndërsa liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, dhuna është një krim i ndëshkueshëm.
Dhe kjo është dhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të dyja drejtimet, për të adresuar ato që ne i shohim si momente të rëndësishme psikologjike dhe nevoja imediate të njerëzive për të pasur një dorë mbështetje në kushtet e shtrenjtimit të jetesës, po e përgjithësoj në këtë fjali, dhe nga ana tjetër sigurisht garantimin e sigurisë, të rendit, të qetësisë duke marrë masa kundër dhunuesve, duke marrë masa kundër anarkisë, duke marrë masa kundër idesë se unë jam i lirë të protestoj dhe në emër të kësaj lirie mund t’ia marr të gjithë të tjerëve lirinë për të qarkulluar, lirinë për të punuar, lirinë për të jetuar, lirinë për të çuar fëmijët në shkollë, e kështu me radhë.
Në anën e asaj pjese, padiskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, kërkon më shumë meritë në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t’u strehuar, pa ju marrë krejt fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, që kërkon më shumë rishpërndarje dhe le të themi barazi sociale, – ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije dhe cilat do të jenë masat që do të marrim”, tha Rama.


