Shkëlqimi dhe rënia e një revolucioni. Nga dhuna e dëshiruar, te paqja e detyruar. Pas 12 ditësh, protestën e mori tërësisht në dorë Sali Berisha. Dhe si gjithmonë e shoi atë.
Në protestën që ai vetë e quajti si kombëtare dhe më të madhen në histori, organizatori vetë vendosi të mos ishte dëshmitar. Qëndroi në seli, ndërsa flamurin e protestës ia dha sekretarit të tij.
Flamur Noka zgjodhi të dalë përkrah Agron Gjekmarkajt, ndoshta i vetmi deputet demokrat që nuk identifikohet dot me dhunën. Te godina e kryeministrisë këtë herë kishte edhe më pak policë të dukshëm se te foltoret e dikurshme të ditës së hënë.
Dhuna e vetme që shfaqën demokratët, e pamaskuar, ishte djegia e jastëkëve të sofrës që Rama kishte shtruar këtë të shtunë për dialog.
Pas 90 minutash te kryeministria, grupimi i demokratëve u zhvendos te Ministria e Arsimit. Godina që javën e kaluar ishte sheshi i krimit, nga protestuesit e maskuar, u kap prapë nga demokratët. Por në krye të tyre mungoi edhe Noka, edhe Gjekmarkaj. Ndonjë gur dhe pak ujë justifikuan ditën e punës së militantëve dhe të policëve. Por jo pritshmëritë e larta për revolucion.
Gjithsesi, duket se loja është bërë jashtë rrugëve dhe bulevardit. Më në fund, pas 2 javësh, Tirana u kthye në normalitet. Berisha, i cili mori përsipër autorësinë e dhunës që në momentet e para te Ministria e Arsimit, ishte ai që e uli flamurin e dhunës. Protesta dështoi, por pas 5 muajsh, paradoksalisht, i solli Berishës një fitore jo të vogël: rimarrjen në dorë të vendit të tij të preferuar, sheshin para kryeministrisë. Për zyrën e Ramës i duhet diçka tjetër, votat e shqiptarëve. Po për momentin, doktori e siguroi vendin e parë. Revolucioni i flamingove shtyhet sërish në kohë.


