Nostalgjia dhe frika nga demokracia po e nxisin Putin të sulmojë Ukrainën

schedule10:22 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 10:22 - 8 Dhjetor, 2021

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Kur Vladimir Putin flet për Ukrainën, ai duket si një bashkëshorti neveritshëm dhe abuziv. Një ese të cilën presidenti rus e botoi në muajin korrik me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”, ishte e mbushur me shpalljen e“dashurisë” së pavdekshme që ai ka për ukrainasit, e kombinuar kjo me kërcënime për dhunë nëse “dashuria” nuk është reciproke.

Ukrainasit portretizohen në mënyra të ndryshme si vëllezër gjaku të rusëve,por edhe si neo-nazistë. Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky, ironizoi homologun e tij duke thënë se Putin duhet të ketë shumë kohë në dispozicion, përderisa është në gjendje të shkruajë një artikull kaq të gjatë.

Por përmbajtja e esesë së Putin, duket gjithnjë e më alarmante kur lexohet krahas përgatitjeve të dukshme që po bëhen në Moskë për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Aktualisht pranë kufirit me Ukrainën ndodhen afro 90.000 trupa ruse, tanke dhe artileri.

Javën e kaluar, Vladimir Putin mbajti një fjalim me tone shumë kërcënues, duke e paralajmëruar Perëndimin të mos kalojë “vijat e kuqe” të Rusisë. Zyrtarët e administratës së presidentit amerikan Joe Biden,thonë se Rusia po planifikon një pushtim të Ukrainës “në fillim të vitit 2022”. Politikë-bërësit në Uashington dhe Londër, druhen se këto plane lufte tregojnë se në Kremlin ka një qëllim të vërtetë agresiv, dhe se ai vjen nga lart.

Duke kërkuar burimet e sjelljes aktuale të Rusisë, zyrtarët perëndimorë ndalen shpesh tek artikulli i gjatë i Putinit i publikuar në korrik, që konsiderohet si shprehje autentike e pikëpamjeve të tij të thella. Në të ai e vë theksin tek lidhjet historike, gjuhësore, etnike dhe fetare midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ai thekson se këto lidhje i paraprijnë Bashkimit Sovjetik. Në fakt, Putin që akuzohet shpesh se është nostalgjik për Bashkimin Sovjetik, i kritikon udhëheqësit sovjetikë që vendosën “bombën më të rrezikshme me sahat” në lidhjet midis Rusisë dhe Ukrainës – duke i dhënë çdo pjese të BRSS të drejtën për t’u shkëputur nga unioni.

“Me atë vendim Rusia u grabit”- shkruan Putin në artikullin e tij. Ndërkohë presidenti rus këmbëngul se Ukraina është një shtet i dështuar, që po udhëhiqet nga mashtrimet e të huajve. Këtu argumenti i tij merr një kthesë vërtet alarmante.

Perëndimi, sugjeron ai, është duke luajtur një “lojë gjeopolitike të rrezikshme”, dhe synon ta përdorë Ukrainën si “një trampolinë kundër Rusisë”. Ky argument, mund të përdoret qartazi për ta portretizuar si një mekanizëm mbrojtës një pushtim rus të Ukrainës.

Për të shmangur një konflikt të tillë, rusët po kërkojnë një garanci të qartë nga Perëndimi se Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me NATO-n. Kjo kërkesë, ka të ngjarë të jetë thelbësore në diskutimet e kësaj jave midis Putin dhe Joe Biden.

Kërkesa e Moskës tingëllon si diçka që Uashingtoni mund ta marrë në konsideratë. Realiteti është se Ukraina është gjithsesi shumë larg anëtarësimit në NATO. Dhe bërja e qartë e këtij realiteti, mund të mos duket si një lëshim kaq i rëndësishëm, sidomos nëse mund të shmangë një konflikt.

Por ekzistojnë dy arsye se pse SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s, do të ngurojnë qëta bëjnë këtë marrëveshje. E para është e natyrës parimore:Ukraina është një komb sovran. Ajo duhet të jetë në gjendje të bëjë zgjedhjet e veta, pa rënë viktimë e marrëveshjeve nga ana e fuqive të mëdha.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me të qenit shumë të kujdesshëm. Nëse Rusia merr atë që do, a do t’i jepte vërtet fund mundësisë së shpërthimit të një lufte? Logjika e letrës dashuri-urrejtje e Putin, është se vetë pavarësia e Ukrainës është një gjë e neveritshme, një anomali historike që duhet riparuar.

Prandaj nëse bëhet tani një lëshim, Putin mund të kalojë tek kërkesa tjetër. Rusia e ka aneksuar tashmë Krimenë pjesë e Ukrainës që në vitin 2014, dhe kërkon ndërkaq të drejtën e vetos mbi aspektet e politikave të saj të brendshme.

Zemërimi i Vladimir Putin me Ukrainën, duket se ka të bëjë më shumë se sa me mospranimin nga Kievi të një“sfere ndikimi” ruse. Kontrasti me qëndrimin e tij relativisht të qetë ndaj Kazakistanit është shumë domethënës.

Ashtu si Ukraina, edhe Kazakistani ishte pjesë e perandorisë ruse dhe më pas e Bashkimit Sovjetik, përpara se të bëhej një shtet i pavarur. Putini është përpjekur të rindërtojë ndikimin e Moskës në Azinë Qendrore përmes formimit të një Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, duke përfshirë Kazakistanin.

Por ambiciet e Moskës janë përplasur me ato të Pekinit. Në vitin 2013, presidenti kinez Xi Jinping, shpalli nismën “Një Brez, Një Rrugë” të Kinës në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit. Dhe sot ky vend bën më shumë tregti me Kinën sesa me Rusinë.

Edhe pse disa zyrtarë në partinë Rusia e Bashkuar të Putin,përmendin një lloj pretendimi territorial ndaj Kazakistanit Verior, fakti që kjo ish-republikë sovjetike po rrëshqet nga zona e ndikimit të Moskës, nuk ka hasur në shumë rezistencë nga Kremlini.

Rusët do të argumentonin se ndryshimi është se Kazakistani nuk ka kultivuar lidhje të ngushta me Kinën në fushën e mbrojtjes. Por afërsia në rritje midis Astanës dhe Pekinit ka implikime të qarta në fushën e sigurisë. Dallimi i vërtetë midis Kazakistanit dhe Ukrainës, mund të jetë fakti që Kazakistani nuk tregon asnjë shenjë se do të shndërrohet në një demokraci normale.

Në të kundërt, Ukraina i ka rezistuar vazhdimisht përpjekjeve për të ngritur një regjim autoritar të llojit që ka instaluar Putin në Rusi. Sistemi ukrainas është i korruptuar dhe jofunksional në shumë mënyra. Por ky vend mban zgjedhje që nuk kanë një përfundim të paracaktuar dhe një shoqëri civile shumë aktive.

Siç vëren saktësisht Putin, Ukraina dhe Rusia janë të lidhura ngushtë nga historia dhe kultura. Pra, fakti që Ukraina ka marrë një rrugë të ndryshme politike nga Rusia, ngre disa pikëpyetje të sikletshme për Kremlinin, të cilit i pëlqen të argumentojë se “liberalizmi perëndimor” është krejtësisht i papërshtatshëm për Rusinë.

Ndoshta është kjo arsyeja e vërtetë se përse Ukraina ngjall një zemërim të tillë tek Vladimir Putin. Përmbajtja e këtij zemërimi, nëpërmjet kërcënimit të sanksioneve të mëdha ekonomike, është papritmas sfida më urgjente me të cilën përballet aleanca perëndimore. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!