Altin Qato pa certifikatë sigurie

schedule15:47 - 18 Janar, 2019

schedule 15:47 - 18 Janar, 2019

 Altin Qato, Drejtor i Policisë së Elbasanit, prej një viti nuk është i pajisur me certifikatën e sigurisë nga DSIK-ja. Dyshimet janë se shefi i Policisë së Elbasanit dikur ka qenë numri 2 i Policisë së Shtetit, në kohën kur ministër i Brendshëm ka qenë Saimir Tahiri.  

Drejtori i Policisë së Qarkut të Elbasanit, Altin Qato, ka rreth 1 vit që nuk është pajisur me Certifikatën e Sigurisë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

DSIK-ja kërkon ende informacione shtesë për të dhënë Certifikatën e Sigurisë, pasi Qato ka mbajtur dikur, postin e zv/Drejtorit të Përgjithshëm në kohën kur ministër i Brendshëm ka qenë Saimir Tahiri. Qato ka qenë i ngarkuar në post drejtues për të monitoruar mbjelljen e parcelave me kanabis në të gjithë vendin.

Të kontaktuar nga ABC News, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme pohojnë se Altin Qato gëzon të drejtën për të ushtruar detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut të Elbasanit edhe pse nuk ka ende një certifikatë sigurie nga DSIK-ja.

Ndërkohë një nga ndryshimet e propozuara nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në ligjin për Policinë e Shtetit, ka të bëjë me një pikë të shtuar në nenin 46.

Gërma “f”, parashikon që një punonjës policie mund të përjashtohet nga radhët e saj nëse nuk është i pajisur me certifikatën e sigurisë. Ky dokument lëshohet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK.

Shumë punonjës të policisë, shprehen të pakënaqur nga propozimi i ministrit të Brendshëm për ndryshim të nenit 46, të ligjit për Policinë e Shtetit. Kjo sipas tyre, mund të përdoret me dashakeqësi për largime policësh nga puna, nga SHÇBA apo SHISH, që janë instrumentet që furnizojnë DSIK-në me informacion për dhënien e certifikatës së sigurisë.

Në rastin e policisë, vendimi i DSIK-së për dhënie ose jo të certifikatës së sigurisë për një efektivi policie, përballet drejtepërdrejt tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Është pikërisht ky autoritet, që mbi bazën e ligjit vendos ndërprerjen e punës për çdo oficer të policisë që nuk fiton certifikatën e sigurisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!