Një banesë në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat është përfshirë nga flakët. Gazetari i “ABC” Artan Diko raporton se ka qenë fëmija e familjes, vetëm 10-vjeç, që duke luajtur me shkrepëse e çakmak u ka vënë flakën pa dashje lodrave të tij dhe është larguar me vrap nga frika.
Zjarri ka përparuar me shpejtësi në të gjithë ballkonin në katin e dytë të pallatit duke shkrumbuar tërësisht orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në ballkonin e përshtatur nga familja në dhomë gatimi.
Flakët e zjarrit që ishin duke përparuar edhe brenda banesës por edhe duke rrezikuar katet e sipërme të pallatit janë parë nga gjyshi i fëmijës 10-vjeçar, që ka njoftuar menjëherë zjarrfikësen. Ka qenë ndërhyrja në kohë e Repartit Zjarrfikës që ka bërë të mundur lokalizimin e shpejtë të flakëve dhe shuarjen e zjarrit që rrezikonte edhe hyrjet e sipërme të pallatit.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodhej vetëm djali 10-vjeçar me gjyshin, të cilët kanë dalë jashtë pa lëndime dhe të tmerruar, ndërkohë që flakët përhapeshin me shpejtësi. Burime të zjarrfikësve në vendngjarje kanë deklaruar se shkak i zjarrit ishte pakujdesia e djalit që ishte duke luajtur me shkrepëse në ballkon.
Zjarri i rënë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ballkonin dhe një nga dhomat e banesës, ndërkohë që tymi dhe era e keqe është përhapur në të gjithë pallatin./ Abcnews.al