Të paktën 44 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 14 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në orën 09:00 të 7 shtatorit, 9 vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa 21 janë shuar.
Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vënë edhe 329 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe mjete ajrore e tokësore.
Gjatë 24 orëve janë kryer 6 operacione me helikopterë, ndërsa në operacione është përdorur edhe 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.
Shkodra, disa vatra vijojnë aktive
Në qarkun e Shkodrës vijon aktive vatra Bardhaj–Myselim, ku ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri. Në zonë janë angazhuar 71 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Aktive mbeten edhe vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar gjithashtu 50 forca ushtarake.
Ndërkohë, zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe, sipas autoriteteve, nuk paraqet rrezik për banesat.
Zjarre aktive edhe në Tiranë dhe Kavajë
Në qarkun e Tiranës vijojnë aktive zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit.
Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Për përballimin e situatës në Kryezi, është përdorur edhe një avion Air Tractor.
Dibra përballet me disa vatra
Në qarkun e Dibrës janë aktive vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë.
Vatra në Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga Forcat e Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë punën për izolimin e flakëve.
Lezhë, dy vatra aktive
Në qarkun e Lezhës mbeten aktive zjarret në Gallatë dhe në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet.
Në këtë të fundit janë angazhuar 63 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Autoritetet bëjnë me dije se nuk raportohen banesa në rrezik.
Një vatër aktive në Berat
Në Berat vijon aktive vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në qarqet e tjera të vendit, situata paraqitet më e qetë, me disa vatra të shuara ose nën mbikëqyrje në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.

