Flakët vijojnë të jenë të pranishme në disa prej zonave të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga 43 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, 11 janë ende aktive, ndërsa tetë po mbahen në monitorim për ndonjë riaktivizim të mundshëm.
Në Shkodër, i cili ishte qarku më problematik një ditë më parë, kanë mbetur aktive tre vatra kryesore, në Mnelë të Vogël, Vaun e Dejës e Bardhaj Myselim, ku një helikopter po ndihmon zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura për shuarjen e flakëve.
Në Tërbun të Pukës, operacioni për neutralizimin e flakëve po vijon vetëm nga toka. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për zonën e banuar. Vatrat në Iballë dhe Bërdicë janë në mbikëqyrje.
As zjarret në qarkun e Dibrës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk paraqesin rrezik për banesat, ndonëse vijojnë të jenë aktive katër vatra.
Në Vajkal të Bulqizës, në Qafën e Helmes, në Cerrujë–Mali i Allushit në Klos dhe në Lundre–Madhesh të Matit. Në këtë të fundit, operacioni për shuarjen e flakëve po vijon nga toka dhe ajri.
Me intensitet vijon zjarri dhe në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku për fikjen e tij janë angazhuar forca vendore, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Me ndërhyrjen e helikopterit është shmangur rreziku nga zonat e banuara. Aktive mbeten dhe vatrat në Gallatë të Kurbinit.
Flakët vijojnë dhe në sipërfaqen me pyll ahu dhe shkurre në malin e Dajtit, ku po punojnë një avion Air Tractor dhe më shumë se 100 forca për t’i shuar.
Ndërkohë, vatrat në Kryezi të Kavajës dhe Malin e Bërzhitës janë nën mbikëqyrje. Po në monitorim po mbahen dhe zjarret në Bolenë, Horë–Vranisht, Himarë të Qarkut Vlorë dhe ato në sipërfaqen me ullishta, pyje me pisha, lis e shkurre në Peshtan, Cërrilë dhe Mallakastër të Fierit.


