Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zjarret në vend, nën kontroll/ 13 vatra aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri

schedule10:11 - 9 Shtator, 2026

schedule 10:11 - 9 Shtator, 2026

13 vatra zjarri vijojnë aktive në vend, ndërsa situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Në 24 orët e fundit janë raportuar 43 vatra, 22 prej të cilave janë shuar, ndërsa 8 të tjera mbahen nën mbikëqyrje.

Në Shkodër, aktive mbeten vatrat në Mnelë të Vogël, Bardhaj–Myselim dhe malin e Tërbunit. Më problematike paraqitet situata në Mnelë të Vogël, ku dy banesa janë në rrezik dhe po mbrohen nga forcat zjarrfikëse. Operacioni në këtë zonë është mbështetur edhe nga Forcat e Armatosura, ndërsa sot rreth 80 efektivë do të vijojnë ndërhyrjen në këto tri vatra.

Në Lezhë, zjarri në Gallatë të Kurbinit vijon aktiv në terren të vështirë, por pa rrezik për banesat. Ndërkohë, në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet vijon angazhimi i forcave vendore, vullnetare dhe të Forcave të Armatosura. Edhe për këtë zonë, ku dje u angazhuan mbi 200 forca dhe mjete, operacioni do të vijojë edhe sot me rreth 50 efektivë ushtarakë.



Në qarkun e Dibrës mbeten aktive katër vatra, në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos.

Edhe në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv, në një sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre, por pa rrezik për zonat e banuara.

Aktive vijojnë të jenë edhe vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, në Qesarat–Mali i Malinës në Finiq dhe në Çërrilë të Mallakastrës. Në Finiq është kryer ndërhyrje edhe nga ajri, ndërsa në Çërrilë sot do të angazhohen rreth 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në total, në operacionet e 24 orëve të fundit janë angazhuar 697 forca vendore e lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 314 efektivë, automjete, mjete të specializuara, autoambulanca dhe një dron, ndërsa janë zhvilluar katër operacione me helikopterë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!